Ekuilibri i financimit publik dhe privat i partive politike

0:30 / 16.02.2011

Ligji për Financimin e Subjekteve Politike (LFSP) Nr. 03/L-174, i miratuar në shtator të vitit 2010, në njëzetë e pesë (25 ) nenet e tij, ka qenë një hap në drejtim të kompletimit të legjislacionit në fushën e financimit të partive politike. I nxjerrë ndoshta me një nguti të madhe për shkak të presioneve nga partitë politike dhe shoqëria civile, ky Ligj nuk ka mundur ta kaloj maksimen e vjetër, më mirë një ligj i dobët se sa pa të.

Financimi i partive politike, pjesërisht ka qenë i rregulluar me Rregulloret e UNMIK-ut, dhe më vonë me dispozitat e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Lokale, dhe me aktet nënligjore që i ka nxjerrë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si: Rregulla 01/2008 Për Regjistrimin dhe Veprimin e Partive Politike, Rregulla Zgjedhore Nr. 12/ Kufizimi i Shpenzimeve të Fushatës dhe Deklarimi Financiar.

Edhe pse jo në plotëni, disa dispozitat të Rregullave Zgjedhore, që ende janë në fuqi e kanë rregulluar mënyrën e financimit të partive politike, kushtet dhe transparencën lidhur me financimin nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës, dhe përfitimet nga donacionet e dhëna nga individët, ndërmarrje biznesi etj.

Në Rregullën Zgjedhore 01/2008 Për Regjistrimin dhe Veprimin e Partive Politike kanë qenë të përcaktuara kontributet e lejueshme, nenin 17.1, dhe mënyra e financimit publik e rregulluar me nenin 18 të po kësaj Rregulle Zgjedhore, dhe disa dispozita që kanë të bëjnë me Raportet Financiare Vjetore, evidencat e partive politike, kontrollimi i raporteve financiare vjetore nga Zyra.

Sa i përket sanksioneve nëpërmes gjobave të shqiptuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për partitë politike, lidhur me pranimin e kontributeve të palejueshme, dorëzimit me vonesë të dokumentacionit, pasaktësive të paraqitura, tendenca për fshehjen e të dhënave, këto çështje janë rregulluar deri më tani me Rregullën Zgjedhore Nr.14/2009, Sanksionet dhe Gjobat.

Gjatë leximit dhe shqyrtimit me kujdes të këtij Ligji për Financimin e Subjekteve Politike, që në fillim të emërtimit ekziston një kundërthënie jo në kuptimin e terminologjisë juridike; si shprehja subjekt politik, e cila i vë në një “kupolë” partitë, iniciativat, koalicionet dhe kandidatët e pavarur, por mungon një kategorizim më i theksuar i të drejtave dhe obligimeve për të gjitha këto subjekte veç e veç, sepse as statusi juridik dhe financiar shikuar në kontekstin më të gjerë nuk është i barabartë si: relacioni parti- iniciativë- koalicion dhe kandidat i pavarur.

Paqartësitë në nenin 10 të (LFSP)

Paqartësitë në nenin 10 të po këtij Ligji (LFSP) që kanë të bëjnë me ndarjen e mjeteve financiare për fushatat zgjedhore, pika 2.2 ku thuhet decidivisht “10% e mjeteve financiare ndahen proporcionalisht për subjektet politike të posa regjistruara dhe të certifikuara për zgjedhjet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”.

Në ndonjë akt nënligjor, përdorimi i fjalisë “posa”, duhet ta ketë një konkretizim lidhur me cilat subjekte bëhet fjalë, a mund të certifikohen për zgjedhje partitë e saporegjistruara, të cilat duhet të mbajnë Kuvendet themeluese brenda (6) muajve, bazuar në nenin 13.1 të Rregullës Zgjedhore 01/2008 Për Regjistrimin dhe Veprimin e Partive Politike, sidomos kur ky afat koincidon me periudhat zgjedhore, dhe ato, ndodhen në fazën e konsolidimit të brendshëm (keni parasysh se aktet e tyre projektprogrami dhe projektstatuti bëhen të plotfuqishme vetëm në Kuvend të harmonizuara me Rregullën Zgjedhore 01/2008, si dhe në obligimet që tani dalin nga dispozita e (LFSP), neni 17, Kontrollimi i brendshëm ku thuhet “Subjektet politike janë të detyruara të definojnë me statut mundësinë e ushtrimit të kontrollit të brendshëm financiar”. Kjo çështje nuk është e përcaktuar as me nenin 12 të Statuti të partisë, në Rregulloren 01/2008 Për Regjistrimin dhe Veprimin e Partive Politike.

Bazuar në nenin 10 të (LFSP) pika 2.2, praktikisht gjatë procesit zgjedhor, do të kemi rritje të interesimit të individëve për të regjistruar parti, të aplikojnë si iniciativa apo edhe kandidatë të pavarur, jo sa për të “fituar” ndonjë vend në parlament, por për të përfituar mjetet nga shuma 10% që u dedikohet atyre.

Sa i përket nenit 9 të Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike, në pikën 1, financimi i aktiviteteve të rregullta të subjektit politik, mjete siç thuhet në këtë pikë “... nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike, ndahen mes subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend në bazë të numrit të ulëseve për atë mandat”. Në këtë kapitull mund të vërehet se janë përjashtuar nga përfitimi i mjeteve të këtij Fondi, partitë politike që nuk kanë mandate në Kuvend.

Në Udhëzuesin – Financimi e Partive Politike dhe Fushatave Zgjedhore, manual nga autori Ingrid van Biezen, Universiteti i Birmingamit (Mbretëria e Bashkuar), janë vendosur “Rregullat për financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore me theks ekuilibri i arsyeshëm midis financimit publik dhe privat , kritere të drejta për shpërndarjen e kontributeve të shtetit për partitë, rregulla të rrepta në lidhje me donacionet private, vendosja e kufirit për shpenzimet e partive në lidhje me fushatat zgjedhore, transparenca e plotë e llogarive, krijimi i një autoriteti të pavarur auditimi dhe vënia e sanksioneve të drejta për partitë dhe kandidatët që shkelin rregullat”.

Në (LFSP) do të ishte i rëndësishëm sqarimi i statusit të partive politike pa ulëse në Kuvend, të cilat nuk marrin pjesë në ndarjen e mjeteve bazuar në nenin 9 të (LFSP) dhe si duke nuk është përfillur fakti, se Kosova ende udhëhiqet me sistemin proporcional zgjedhor, e cili pretendon të lehtësoj pjesëmarrjen e partive të vogla politike në jetën politike dhe institucionale.

Nëse kësaj i shtohet edhe interesi i vogël i njerëzve për dhënien e ndihmave financiare, kontributeve për partitë e vogla, do të kemi një prishje të ekuilibrit të financimit publik dhe privat dhe favorizim të partive më të përfaqësuara në parlament.

Ka shtete (Hungaria) që për këtë çështje kanë gjetur modele më praktike lidhur me shpërndarjen e mjeteve financiare, të kombinuara në mes parimit të proporcionalitetit dhe “barazisë”, ku 25% e mjeteve u akordohen të gjitha partive të cilat kanë fituar një ulëse në parlament, ndërsa 75% e mjeteve shpërndahen në bazë të numrit të votave të fituara.

Në Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike, janë inkorporuar një numër i madh i dispozitave ligjore nga Rregullat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si neni 15 i (LFSP), ku flitet për Raportimin Financiar, neni 19 i (LFSP) Kontrolli Financiar, dispozita këto që gati janë identike me nenin 20, 21, 22 të Rregullës Zgjedhore 01/2008 Për Regjistrimin dhe Veprimin e Partive Politike.

Dispozitat ndëshkimore

Neni 21 i ( LFSP) dispozita që kanë të bëjnë me ndëshkimin e subjekteve politike, për cenim të dispozitave të këtij ligji janë vendosur gjobat si në vijim : për subjektin politik, tremijë (3.000) deri në dhjetëmijë ( 10.000) euro, ndërsa për kandidatët për deputetë, këshilltarë dhe kandidatët e pavarur nga pesëqind (500 ) euro deri në tremijë ( 3.000) euro.

Vërejtja që do të mund të jepej do të ishte kjo, se shuma e gjobave duhet të sanksionohet për rastet konkrete të shkeljes së dispozitave të këtij ligji, sepse ka raste që shkelja e dispozitave nuk është në harmoni me gjobat e përcaktuara si më lartë dhe mund të kualifikohet si vepër penale, që (LFSP) nuk i ka dhënë sqarim kësaj çështje në dispozitat ligjore. Në Udhëzuesin – Financimi i partive politike dhe Fushatave Zgjedhore, botimi i Këshillit të Evropës, korniza e sanksionimit për fondet e paligjshme përfshinë përveç gjobave administrative, konfiskimin e fondeve të paligjshme, ndërprerjen e fondeve publike, humbje të rimbursimit për shpenzimet elektorale, humbja e vendit në parlament, skualifikimi për zgjedhjet e ardhshme, humbja e të drejtës për të punuar si nëpunës publik, burgosja, shkrirja e partisë, dhe anulimi i rezultatit të zgjedhjeve.

Organet përgjegjëse për nxjerrjen e akteve nënligjore

Neni 23 si organe përgjegjëse për nxjerrjen e akteve të veçanta për zbatimin e këtij (LFSP) e ka përcaktuar APK-në, KQZ-në dhe Qeverinë.

Vërejtja në nenin e cekur më lartë ka të bëjë me dispozitat ligjore të këtij ligji, sepse nuk janë përkufizuar qartë, se ku fillojnë dhe përfundojnë kompetencatë e KQZ-së, dhe ku të APK-së ( Agjencia e Privatizimit e Kosovës ) dhe po ashtu të Qeverisë, me qëllim që nxjerrja e akteve nënligjore në zbatimin e këtij ligji nga këto organe të jenë fusha të ndara dhe më të qartësuara.

Dispozitat shfuqizuese

Ky është neni 24 dhe i parafundit, i cili me hyrjen e tij në fuqi kërkon shfuqizimin e dispozitave që rregullojnë çështjet e financimit të subjekteve politike, të cilat janë kundërshtim me këtë ligj. Kjo për KQZ-në do të thotë rishqyrtim i disa Rregullave Zgjedhore, të cilat e rregullojnë fushën e financimit të subjekteve politike dhe nxjerrjen e akteve nënligjore për zbatueshmërinë e (LFSP) dhe harmonizim me dispozitat e këtij ligji.

(Autori është Zyrtar i lartë ligjor në Zyrën për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim)

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.