Elbasan, makina mbi trotuar, vdesin dy motra
Një aksident tragjik mbrëmë rreth orës 23:00 ka ndodhur në unazën jugore të qytetit të Elbasanit, në vendin e quajtur “Stacioni i trenit”.Një makinë që ecte me shpejtësi skëterrë ka përplasur në trotuar dy motra dhe nënën e tyre. Si pasojë kanë humbur jetën motrat Paula dhe Baftjare Hekurani, përkatësisht 17 e 18 vjeçe, ndërsa ka mbetur e plagosur rëndë nëna e tyre, Mimoza Hekurani, 40 vjeçe.
Sipas policisë, mjeti tip Fiat Punto me targa AA384 DA drejtohej nga 23-vjeçari me inicialet D.C., i cili prej shpejtësisë ka humbur kontrollin e makinës, duke dalë nga rruga, e duke përplasur nënën dhe dy vajzat e saj, të cilat ishin duke ecur në trotuar. Drejtuesi i mjetit është larguar menjëherë vendngjarja, ndërsa policia po punon për kapjen e tij, raporton “Shekulli”.
Aktualisht nëna gjendet në reanimacionin e spitalit kirurgjik të Elbasanit, ku mjekët deklarojnë se gjendja e saj vazhdon të jetë kritike për jetë, pasi ka shumë dëmtime. /Telegrafi/