EULEX-i mbyll hetimet ndaj Azem Sylës

15:21 / 30.10.2012
Ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Azem Syla, nuk do të hetohet më për pretendimet e Nazim Bllacës, të bëra më 2010. Avokati Tomë Gashi tha se është njoftuar nga prokuroja speciale, Emma Rizzato, se hetimet ndaj klientit të tij kanë pushuar. Vetë Syla këtë lajm e quajti “një e mirë e përgjithshme”.

Prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, nga radhët e EULEX-it, Emma Rizzato, nëpërmes një letre e ka njoftuar mbrojtësin e Azem Sylës, avokatin Tomë Gashi, se ka pezulluar hetimet ndaj Azem Sylës, i njohur me nofkën e luftës “Daja”.

Sipas letrës, mbrojtja është informuar se që nga data 25 tetor 2012 hetimet lidhur me Azem Sylën kanë përfunduar. Së shpejti, zyra e prokurores do të lëshojë një vendim me shkrim lidhur me këtë çështje, raporton “Gazeta Jeta në Kosovë”.

Avokati Tomë Gashi ka ftuar një konferencë për media lidhur me këtë rast, me ç’rast ka paraqitur letrën dërguar mbrojtjes, e cila mban nënshkrimin dhe vulën e prokurorisë.

“Për më tepër se dy vite kemi pasur një akuzë shumë të rëndë të bërë nga Nazim Bllaca, i cili është i akuzuar për vrasje dhe tentimvrasje, si dhe shumë krime të tjera të kryera në Kosovën e pasluftës, e të cilat i pranon se i ka kryer. Një ndër të apostrofuarit ka qenë edhe komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Syla”, tha Gashi.

“Për shkak të deklaratave të Nazim Bllacës në korrik të vitit 2010, janë iniciuar hetimet kundër Azem Sylës”, shtoi avokati Gashi. Sipas tij, Syla gjithmonë në deklarimet e tij ka thënë se me pretendimet e Bllacës nuk do të merret privatisht, por që me Bllacën të merret drejtësia në Kosovë.

Avokati Gashi përmendi bastisjen që EULEX-i e kishte zhvilluar në shtëpinë e Azem Sylës. Ai tha se “bastisja spektakolare ka qenë krejtësisht e panevojshme dhe qëllimkeqe” dhe se të gjitha “sendet që janë marrë kanë qenë personale dhe të gjitha ato do të kthehen”.
“Hetimet penale askush nuk i ka mirëpritur; deklaratat e Nazim Bllacës kanë implikuar edhe shumë udhëheqës të tjerë të UÇK-së, por besoj se këto deklarata nuk e kanë dëmtuar kredibilitetin e Azem Sylës. Por, askush nuk është i lumtur që është nën hetime për deklarime të dikujt, sado që ajo është e pavërtetë dhe e shpifur e deklaratë e aranzhuar nga qarqe të caktuara, qofshin ato serbe, apo të tjera”, tha avokati Tomë Gashi.

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e EULEX-it, Blerim Krasniqi, i cili përmes telefonit tha se “EULEX-i nuk komenton nëse ndonjë person është apo nuk është nën hetime”.

Vetë Azem Syla, i cili doli para gazetarëve, përfundimin e hetimeve e quajti “një e mirë e përgjithshme”. Ai bëri thirrje që “luftën e shenjtë ta ruajnë të gjithë si vlerë e jo të etiketohet me gënjeshtra e të pavërteta”.

Ndryshe, Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përshëndeti vendimin e Prokurorisë së EULEX-it, për ndërprerjen e hetimeve ndaj ish komandantit të përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla.

“Që nga fillimi i këtij procesi, OVL të UÇK-së ka qenë e bindur se është fjala vetëm për një tentim të njollosjes së njërës nga figurat emblematike të UÇK-së. Ne asnjëherë nuk i kemi besuar shpifjeve dhe insinuatave të individëve dhe grupeve të caktuara kundër krerëve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Orvatjet e të gjithë atyre që tentojnë të njollosin luftën çlirimtare dhe bartësit e saj, do të dështojnë”, thuhet në komunikatën e OVL të UÇK. /Telegrafi/


 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
 
 
Magazina
16:07 / 19.05.2013
Geti dhe Bleona Qereti

“Po T’shoh Përmas”, lansohet videoklipi i jashtëzakonshëm

Një prej hip hop grupeve më të suksesshme shqiptare, Tingulli 3nt, ka publikuar projektin e ri, këngën me videoklip të ti...
Teknologji
9:11 / 19.05.2013
Yahoo bën gati 1.1 miliardë për Tumblr

Yahoo bën gati 1.1 miliardë për Tumblr

Bordi ekzekutiv i motorit të madh të kërkimit në internet, Yahoo do të takohet sot për të votuar ose jo blerjen mikro-bl...
Ekonomi
11:34 / 19.05.2013

Policia sërish përgatit tender për “Porsche Prishtina”

Policisë së Kosovës i ka dalë sërish problem me tenderin për furnizim me vetura patrulluese, pasi që edhe në tenderët ...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.