“Fabrikë” droge në garazh
Garazhin e banesës e kishin kthyer në një “fabrikë” të vërtetë droge, ku përgatisnin për shitje dozat e kokainës. Policia italiane ka arrestuar 2 persona, një shqiptar dhe një italian, si dhe ka denoncuar një minoren, profesionistë të vërtetë të tregtimit të lëndëve narkotike. Të tre këta persona janë kapur në flagrancë në një garazh në Taviano në Itali, ku po përgatisnin drogën, të cilën më pas do e shisnin.Sipas mediave italiane, janë vënë në pranga shqiptari Saimir Sejdini, shtetasi italian Francesco Corone, ndërsa është lënë në hetim në gjendje të lirë, 16-vjeçari me inicialet Z. K.
Policia kishte dyshime për vendndodhjen e kësaj “fabrike” droge, dhe pas hetimeve ka arritur të zbulojë aktivitetin e trafikantëve, raporton noa.al.
Mbrëmjen e së premtes ka bërë të mundur kapjen në flagrancë të 3 shtetasve, të cilët ndodheshin në garazh si dhe ka sekuestruar lëndën narkotike.
Gjatë kontrollit të ushtruar në garazh, karabinierët sekuestruan sasi të konsiderueshme kokaine, ku në një raft druri kishte ende gjurmë droge dhe një pjesë e lëndës narkotike ishte e mbështjellë me një qese celefoni pjesërisht e djegur.
Në këtë letër ndodheshin afërsisht rreth tridhjetë doza droge, të përgatitura për në treg.
Jo shumë larg këtij rafti, u gjet një tjetër sasi droge ende e paprekur, e cila ishte vendosur pranë një kavanozi domatesh të konservuara.
Ndërkohë që policia italiane ka arritur të zbulojë dhe sekuestrojë edhe 29 doza të tjera, të cilat ishin të futura brenda një pakete bosh cigaresh, e përgatitur për në treg.
Po ashtu në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar edhe një çakmak, 260 euro si dhe materiale të ndryshme, të cilat përdoreshin nga personat e sipërpërmendur për përgatitjen e drogës. /Telegrafi/