“Fajtorë” edhe për filmin “Pafajësia Myslimane”!

23:55 / 18.09.2012

Është e vështirë të analizohen zhvillimet e mëdha në botën muslimane dhe të mos përmendet shkrimtari i njohur britanik me origjinë nga India, Selman Ruzhdie dhe romani i tij “Vargjet Satanike”, shkruan e përditshmja amerikane New York Daily News.

Edhe pse nuk ka asnjë lidhje me filmin “Pafajësia e Myslimanëve”, madje as nuk e ka komentuar filmin, Ruzhdie për shkak të librit që ka botuar para 23 vjetësh, sërish është kërcënuar me jetë nga ekstremistet islamikë, duke vënë çmimin 500 mijë euro për vrasjen e tij.

Ajatollahu Ruhollah Khomeini, udhëheqësi më i lartë i Iranit, një shkollar shiit nxorri një “fatva” që thirri për vdekjen e Rushdiut më 1988. Asokohe ai pohoi se kjo ishte detyrë për tu bindur e çdo myslimani. Sot, “fetva” për vdekjen e Ruzhdie ka thirrur edhe lideri tjetër fetar në Iran, Ajatollah Sanei.

Sanei ka thënë se sikur të mos idhte botuar romani “Vargjet Satanike” (i konsideruar nga bota myslimane si kundër Kuranit, Profetit dhe Islamit), nuk do të bëhej as filmi “Pafajësia Myslimane”. Sipas tij, Ruzhdie është fajtor për të gjitha fyerjet që i janë bërë Profetit Muhamed dhe Isalmit këto 20 vjetët e fundit, dhe sic ka thënë ai për këtë duhet vrarë. Madje Sanei ka thënë se shpërblimi për vrasjen e tij është 500 mijë dollarë amerikanë.

Vetë shkrimtari “fetva”-në kundër tij e ka komentuar si përpjekje për kthim në Mesjetë. Ai ka thënë se asgjë nuk ka ndryshuar që nga vitet kur e ka botuar romanin e tij. Madje, sipas tij, ekstremizmi fetar është shtuar dhe situata është përkeqësuar. "Sot mbase romani im nuk do të botohej. Por dihet fare mirë se e vetmja mënyrë e mundshme e jetës në një shoqëri të lirë, është liria e fjalës dhe shprehja e lirë e mendimeve”, ka thënë Rushdie.

Ruzhdie ishte frymëzuar pjesërisht nga jeta e Muhamedit. Titulli lidhet me “Vargjet satanike”, një përpjekje ndërfutëse në Kuran, përshkruar nga Ibn Is'haku në jetëshkrimin e tij të Muhamedit. Shumë myslimanë e shohin historinë e Ibn Ishakut tejet shqetësuese, dhe e hedhin poshtë si të rreme. Poashtu shumë shkollarë myslimanë e hedhin poshtë tregimin si historikisht të pamundshëm, dhe të vërtetuar dobët.

Romani shkaktoi shumë polemikë me botimin e tij në vitin 1988, pasiqë shumë myslimanë mendojnë që libri përmban referenca përdhosëse (blasfemuese). India ishte vendi i parë që e ndaloi hyrjen e librit në vend. Më 14 shkurt 1989, Khomeini transmetoi mesazhin (kumtesën) vijuese në radion iraniane: “Unë njoftoj popullsinë krenare myslimane në botë që autori i librit Vargjet Satanike, i cili është kundër Islamit, profetit dhe Kuranit, dhe të gjithë atyre që kanë gisht në botimin e tij, që janë të vetëdijshëm me përmbajtjen e tij, janë të dënuar me vdekje”.

Si pasojë, Hitoshi Igarashi, përkthyesi japonez i librit u godit për vdekje me thikë, në korrikun e vitit 1991; Ettore Capriolo, përkthyesi italian, poashtu u plagos rëndë në të njëjtin muaj nga goditje me thike; ndërsa Ëilliam Nygaard, botuesi norvegjez i mbijetoi përpjekjes vrastare në Oslo, në tetor 1993. Ndërsa më 14 shkurt 2006 (pikërisht pas 15 vjetësh nga kumtesa e ajatollahut), agjencia shtetërore iraniane e lajmeve raportoi që fatva do të mbesë në fuqi përgjithmonë.

Ruzhdie, i cili e ka ndrruar identitetin dhe jeton nën përkujdesin e policisë, është kërcënuar pasi filmi i proshuar nga një amerikan në Shtetet e Bashkuara, “Pafajësia e Myslimanëve”, që e përshkruan profetin Muhamed si një njeri të etur për pushtet dhe të çmendur, ditët e fundit nxiti protesta dhe sulme ndaj ambasadave perëndimore në botën myslimane, ku për pasojë mbet i vrarë edhe ambasadori amerikan në Libi, Christopher Stevens. /Telegrafi/ 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.