Femrat amerikane mund të marrin pjesë në operacionet luftarake
Departamenti i mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara e ka tërhequr ndalesën 18 vjeçare, që nuk lejonte pjesëmarrjen e ushtareve në operacione të luftës. Në një kumtesë të sotme, Pentagoni njoftoi se është marrë vendim që politika e vitit 1994 të mos vlejë më tutje. Me këtë politikë, femrat nuk kanë mundur të kenë pozicione ushtarake me involvim direkt në luftë, siç janë njësitet e këmbësorisë.
Sekretari i mbrojtjes, Leon Panetta, tha se “synim i Departamentit në tërheqjen e rregullës është që të sigurohet se misioni është i përbërë nga njerëzit më të kualifikuar dhe të aftë, pavarësisht nga gjinia”, transmeton Rel.
Sipas tij, ky vendim është marrë “pas një rishqyrtimi të gjerë” nga shefat e të gjitha ushtrive amerikane.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, tha sot se presidenti Barack Obama, plotësisht e mbështet këtë politikë të re. /Telegrafi/