FH: Kuvendi ta rishikojë Kodin Penal
Freedom House i bën thirrje Parlamentit të Kosovës që të përshtatet me normat ndërkombëtare dhe me rekomandimet lidhur me lirinë e shprehjes dhe të shtypit, e të rishikojë dy nenet e Kodit Penal që kanë të bëjnë me përgjegjësinë penale dhe zbulimin e burimeve të informacionit.“Neni 37 i propozuar i Kodit, i cili lejon ndjekjen penale të redaktorëve, gazetarëve dhe pronarëve për vepra të papërcaktuara, të kryera nëpërmjet mediave, përbënë një kërcënim ogurzi për lirinë e shprehjes dhe mund të inkurajojë autocensurën e gjerë. Ajo duhet të hiqet plotësisht, në përputhje me nenin 19 të Konventës Ndërkombëtare të OKB-së mbi të Drejtat Civile dhe Politike dhe nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat pohojnë të drejtën e lirisë së shprehjes, pa ndërhyrje nga autoritetet publike”, thuhet në një komunikatë të Freedom House.
Neni 38 ka të bëjë me rastet në të cilat gazetarët mund të detyrohen me ligj që të zbulojnë burimet e tyre të informacionit. Freedom House pajtohet me rekomandimet e shoqërisë civile dhe organizatat monitoruese të mediave në Kosovë, se artikulli është përmbledhur shumë gjerësisht në gjendjen e tanishme, dhe se duhet të rishikohet - në vend se të hiqet - në përputhje me "Rekomandimin 1950" të Këshillit të Evropës, për të kufizuar zbulimin e detyruar të burimeve në "rrethana të jashtëzakonshme, ku interesat vitale publike ose individuale janë në rrezik dhe mund të përforcohen bindshëm".
"Heqja e nenit 38 do të jetë një pengesë e rëndësishme për mediat dhe klimën politike në Kosovë, një vend ky që ende lufton për të kapërcyer paqëndrueshmërinë dhe padrejtësinë", tha Karin Deutsch Karlekar, drejtoreshë e projekteve në Freedom House, përgjegjëse për raportin vjetor “Liria e shtypit”.
"Sigurimi se gazetarët janë të lirë që me përgjegjësi të hetojnë rastet e tilla të ndjeshme, si korrupsionet, mashtrimet zgjedhore dhe aspekte të tjera të sjelljes së qeverisë, pa frikën e reprezaljeve ligjore, janë jetike për të qenë të bindur se vendi është në një kurs pozitiv demokratik".
Rangimi i mediave të pavarura të Kosovës është dukshëm nën rezultatin mesatar të shteteve evropiane dhe euroaziatike që janë monitoruar nga Freedom House përmes hulumtimit “Kombet në transicion 2012”. Derisa Kushtetuta thekson lirinë e mediave, ato nuk mbrohen gjithmonë në praktikë dhe gazetarët vazhdojnë të përballen me presion politik dhe ngacmime.
Kosova është vlerësuar pjesërisht e lirë në hulumtimet “Liria në botë 2012” dhe “Liria e shtypit 2012”.
Freedom House është organizatë e pavarur mbikëqyrëse që mbështet ndryshimin demokratik, që monitoron gjendjen e lirisë në mbarë botën, dhe avokon demokracinë dhe të drejta të njeriut. /Telegrafi/