Fluksi i mërgimtarëve, radhë të gjata në kufi
Në pikën më të frekuentuar kufitare Tabanoc mes Serbisë dhe Maqedonisë prej dje janë regjistruar radhë të gjata të makinave, që janë shkaktuar nga autoritetet kufitare maqedonase.Kthimi i mërgimtarëve për pushime në vendlindje fluksi i turistëve të huaj që shkojnë për pushime në bregdetin grek dhe turk kanë shkaktuar pritjet e gjata dhe tollovitë e krijuar në këtë pikë kufitare, njofton Ina.
Mërgimtarët shqiptarë theksojnë se janë të irrituar dhe reagojnë nga neglizhenca e autoriteteve kufitare të Maqedonisë, të cilët me ngadalësi vijojnë punën e tyre, duke shkaktuar grumbullimin dhe radhët e gjata të makinave.
“Nuk kuptojmë pse aq pritje të gjata dhe gjithë këto radhë. Ata stërzgjatin procedurat Jemi të habitur se sa gjatë na mbajnë këtu dhe palidhje kontrollojnë dokumente, dhe kjo dikon që të shkaktohen radhët e gjata. Në rast se ky vend pretendon BE-në, atëherë nuk e di se a dinë se çfarë praktika efektive duhet zbatuar", thekson një mërgimtar nga Tetova.
Turistët e huaj i shmangen me dozë dyshimi përgjigjeve rreth radhëve të gjata, duke theksuar se nuk dinë përse ndodhë kjo dhe për këtë duhet pyetur autoritetet doganore.
Radhët e gjata po shkaktohen edhe nga turqit që udhëtojnë nga vendet euro-perëndimore për pushime në vendin e tyre. Turqit shfrytëzojnë Korridorin 10, si destinacion më i afërt në Turqi, përmes territorit grek.
Në pikën kufitare të Maqedonisë janë vënë në dispozicion vetëm tre kolona për të kaluar kufirin, derisa autoritetet serbe kanë dyfishuar ato në gjashtë kolona.
Gjithashtu edhe policët serb fajësojnë autoritetet maqedonase se ato po krijojnë radhët e gjata. "Po sigurisht se ata po vonojnë shumë me punën dhe verifikimet, që ndoshta janë të panevojshme", theksoi një polic shqiptar nga Presheva, në pikën kufitare Tabanoc.
Nga ana tjetër, në njoftimin zyrtar të Auto Moto Lidhjes së Maqedonisë theksohet se nuk ka pritje të gjata në pikat kufitare të Maqedonisë. /Telegrafi/