FSK-ja kthehet me medalje nga marshimi në Holandë
Kontingjenti i FSK-së kthehet me sukses të plotë nga Holanda, ku mori pjesë në marshin tradicional, të 96-in me radhë, të mbajtur në qytetin Nijmegen.Marshi tradicional, që u mbajt nga 19 - 23 korrik në qytetin Nijmegen të Holandës, ka grumbulluar pjesëmarrës nga shumë shtete të NATO-s dhe të shteteve të tjera të botës. Forcën e Sigurisë të Kosovës sivjet e kanë përfaqësuar 18 pjesëtarë, në mesin e tyre edhe dy pjesëtare të FSK-së.
Sipas rregullave të marshit, çdo ditë ekipet kanë marshuar nga 40 kilometra, kurse të gjithë pjesëtarët e FSK-së, si njësit, kanë arritur me kohë në cak.
Të gjithë pjesëtarët e kontingjentit të FSK-së janë shpërblyer me medalje dhe certifikata në mënyrë individuale dhe me një medalje, për ekipin më të mirë.
Sipas statistikave të organizatorit, ekipi i FSK-së, vitin e kaluar ka arritur suksesin më të madh si ekip, që vetëm një shtet e kishte shënuar në historinë 95-vjeçare të këtij marshimi, ku të gjithë pjesëmarrësit si ekip e kalojnë marshimin katër ditor.
Kjo është hera e dytë që njësiti i FSK-së e arrin suksesin e vitit të kaluar, që komplet të kalojë shtegun prej 160 km.
Për të përcjellë finalen e marshimit, në Nijmegen ishte edhe ambasadori i Republikës se Kosovës në Mbretërinë e Holandës, Nexhmi Rexhepi dhe zëvendës komandanti i Komandës së Forcave Tokësore (KFT), gjeneralbrigade Gëzim Hazrolli, të cilët së bashku kanë bërë edhe shpërndarjen e medaljeve për të gjithë pjesëtaret e kontingjentit të FSK-së, pas përfundimit me sukses të marshimit. /Telegrafi/