Gashi: Droja e kotë e Vulinit

23:16 / 25.03.2013

Autoritetet qeveritare të Kosovës kanë hedhur poshtë pretendimin e shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili ka deklaruar se planifikimi hapësinor është e vetmja mënyrë për të parandaluar ndryshimin e strukturës etnike në Kosovë, në dëm të serbëve.

Vulin ka thënë se pala serbe është këmbëngulëse për ta pasur nën kontroll planifikimin hapësinor, ndërsa ka shfaqur apetitet që zgjidhja gjatë bisedimeve në Bruksel të kalojë përtej asaj që e përcakton Plani i Ahtisaarit, duke përfituar një autonomi substanciale për serbët e Kosovës.

Ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor i Kosovës, Dardan Gashi, ka thënë për Telegrafin, se planifikimi hapësinor nuk ka mundësi të ndahet në segmente, pasi që është dokument unik që përpilohet nga Qeveria dhe miratohet nga Kuvendi.

“Nuk e di çfarë droje ka Vulini, por Kushtetuta e Kosovës e shpjegon qartë se kush e bën planifikimin hapësinor, i cili ka të bëjë me zhvillim ekonomik e urban dhe nuk ka lidhje me çka thotë zyrtari serb. Natyrisht që ata po mundohen që të marrin sa më shumë kompetenca. Por, ne e dimë se çka na lejon Kushtetuta dhe Plani i Ahtisaarit dhe çka na lejojnë qytetarët tanë për të dhënë”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, plani Zhvillimor i Qeverisë së Kosovës për veriun është kompetencë e komunave, por Planifikimi Hapësinor i Kosovës deri në vitin 2020, veç është miratuar.

“Ky plan parasheh zhvillimin ekonomik, se ku e tek do të ndërtohet dhe do të zhvillohet. Këto plane nuk mund të ndryshohen. Plani Zhvillimor duhet t’i nënshtrohet Planin Hapësinor, nuk mund të ketë divergjenca. Plani Hapësinor e ka për bazë zhvillimin ekonomik dhe jo parimin etnik”, ka thënë Gashi. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.