Geraldina: Mbreti donte të vriste veten
Ditët e fundit të jetës së Mbretit Ahmet Zog zbardhen në biografinë e autorizuar të së shoqes. Libri “Geraldina e shqiptarëve” e autores australiane Gwen Robyns, hedh dritë mbi 10 vitet e sëmundjes, që fillojnë pas 1950-ës e deri më 1961-in kur ajo u shua.“Vitet që do të pasonin, do të ishin një makth për Mbretëreshën Geraldinë, makth që ajo, edhe sot e kësaj dite, nuk guxon ta kujtojë. Pas vitit 1950, shëndeti i bashkëshortit të saj përkeqësohej nga dita në ditë”, shkruan në librin e botuar nga “UET press”, Gwen Robyns.
Sipas saj, ka pasur edhe momente shprese kur dukej se po e merrte veten, por këto shpresa shuheshin mizorisht nga përsëritja e vazhdueshme e sëmundjes. Ajo vetë dukej se ka qenë e sigurt, që gjithë sëmundja e tij buronte prej ulçerës që nuk ishte mjekuar si duhej në Vjenë.
“Më 3 janar 1961, Familja Mbretërore dhe shoqëruesit e saj u shpërngulën në Paris. Udhëtimi u bë i mundur në sajë të vullnetit të hekurt të Mbretit dhe shërbimit të devotshëm të mjekut francez, dr.Burgua Kavardin, i cili pranoi të udhëtonte me Mbretin, që ishte nën dhimbje të vazhdueshme”, rrëfen Robyns.
Ndërkaq, doktorët e kishin paralajmëruar Mbretëreshën, që edhe troshitja më e lehtë e trenit mund të ishte fatale dhe gjatë gjithë udhëtimit ajo ishte aq shumë e merakosur, saqë, kur mbërritën në Paris, i filluan ngërçet në stomak, të shkaktuara prej angështisë. Kur mbërritën në Ablon, kishte aq shumë baltë, sa makina e pati të pamundur të ecte. Mbretit iu sos durimi dhe, megjithëse kishte vite që pothuajse nuk ecte, gjeti forca për ta ngjitur rruginën malore më këmbë.
“Mjekët arritën në përfundimin që Mbreti Zog tani ishte aq i sëmurë, sa duhej çuar në spitalin e Foçit në Suresnes, ku gjendej edhe laboratori më i mirë kërkimor në Paris. Atëherë për mua filloi një kalvar, të cilin, edhe sot, nuk e kam idenë sesi gjeta forca ta përballoja”, ka thënë Mbretëresha Geraldinë në biografinë e autorizuar për të.
Asaj i kishin premtuar se në këtë spital, ajo do të kishte një dhomë ngjitur me dhomën e të shoqit, kështu që kur ata e çuan Mbretin, me një karrige me rrota, në një dhomë të vogël me një shtrat, me një karrige dhe tavolinë, menjëherë Geraldinë kërkoi dhomën e vet dhe banjën. “Më treguan një studio të ndarë me perde, me banjë, legen për duart, një dush dhe kaq. Kur i pyeta se ku ishte dhoma ime, infermierja m’u përgjigj thartë: Asnjë familjar nuk lejohet të qëndrojë me pacientin. Këmbëngula që gjithçka ishte rregulluar me drejtorin dhe i kërkova një dhomë që të komunikonte me dhomën e Mbretit”, ka deklaruar ajo. Por, e gjitha ishte e pamundur. Mbretëreshës i shtruan një dyshek në dysheme pranë shtratit...
“Të nesërmen u përpoqa të lidhem me ministrin e Shëndetësisë dhe një kushëriri im bisedoi me të. Sa për doktorin e spitalit, as unë dhe as im shoq nuk donim t’i flisnim dhe gjatë javës së parë ai dukej se qëndronte gjatë gjithë kohës në laborator. Askush nuk u kujdes për tim shoq dhe m’u desh të vazhdoja ta mjekoja vetë”,ka rrëfyer Geraldina, shkruan “Gazeta Shqiptare”.
Nga gjendja e rëndë e mbretit, ajo është përpjekur të marrë disa mendime nga mjekë të jashtëm. Ndërsa priste ta vizitonte edhe profesori më i mirë në Paris, ajo mësoi se atij po i vdiste e ëma, prandaj e kishte të pamundur të takonte mbretin.
Robyns shkruan në libër, se kur pa që ishte zverdhur si meit, Mbreti i pëshpëriti Mbretëreshës Geraldinë: Nuk është nevoja të përdor revolverin, pasi tani e kuptoj përse jam kaq i pafuqishëm.
“Gjatë kohës që ishte sëmurë, ai e mbante pranë tij, në shtrat, revolverin prej ari, që i kishte shpëtuar jetën sa e sa herë, por tani qe aq i pafuqishëm, sa as nuk e ngrinte dot. Kështu që i kërkoi Mbretëreshës Geraldinë revolverin e saj të vogël të larë me flori që ia kishin dhënë në Shqipëri. Mbretëresha i kishte kërkuar fshehurazi Princit Leka t’ia hiqte plumbat, por kur ia vendosën mbi tavolinën pranë tij, Mbreti urdhëroi: Hape! Kur pa që në revolver nuk kishte plumba, e detyroi të birin t’i fuste përsëri”, shkruan Robyns.
Arsyeja pse donte revolverin, nuk kishte të bënte me faktin që nuk e duronte dot dhimbjen, por pati thënë që më parë se, po ta dinte me siguri që kishte kancer, do t’ia shkrepte vetes. Frika ndaj kësaj sëmundje e tmerronte qysh kur vdiq Princesha Ruhije. Ky episod i futi tmerrin Mbretëreshës, e cila iu lut çdo mjeku që kalonte te dhoma e Mbretit, të hynte dhe t’i thoshte ndonjë fjalë shpresëdhënëse. Ishte e vështirë, pasi në spitalin Foch, Mbreti ishte i dënuar të vdiste. Ai ishte pacient në dhomën në fund të korridorit.
“Ditën kur ishte e dukshme që Mbretit Zog i kishte rënë të verdhët, një nga shenjat e para të kancerit të pashërueshëm, drejtori i spitalit thirri në zyrën e tij, Mbretëreshën Geraldinë dhe Princin Leka, i cili s’i kishte mbushur ende të njëzetat, dhe u tha hapur se Mbreti po vdiste”, shkruan Robyns.
Princi Leka u zbeh në fytyrë, por sapo doli nga dhoma telefonoi qendrat më me famë të trajtimit të kancerit në Amerikë dhe iu lut që ta pranonin Mbretin si pacientin e tyre. Një nga një, ata lidheshin me drejtorin e spitalit Foch dhe kështu e merrnin vesh të vërtetën e hidhur. Mbreti nuk mund të lëvizej. Mbretëresha Geraldinë e kujton këtë ditë si një nga më të dhimbshmet e jetës së vet. Jo vetëm që burri që ajo dashuronte po vdiste, por do t’i ngelej mbi supe përgjegjësia e stërmadhe e përkujdesjes për princeshat dhe për gjithë shpurën mbretërore. “Kur e morëm vesh përtej çdo dyshimi se ai kishte kancer, i telefonova zotit Ostier, në Nju Jork, ku kisha lënë pjesën e fundit të stolive të mia, dhe i kërkova të dërgonte në emrin e Lekës 10 mijë dollarë. E kisha plotësisht të qartë se, sado para të kishin mbetur në bankën franceze, ato do të ngrinin sapo im shoq të vdiste. Kishim bërë një kontratë në Nju Jork që stolitë nuk do të shiteshin poshtë një shume të caktuar, por për fat të keq nuk u shitën shumë sipër saj”, ka treguar Geraldina. Sot ato stoli do të vlenin shumë më tepër...
Autorja e biografisë, Gwen Robybn thotë se një nga njerëzit e fundit që foli me Mbretin ishte kunata e tij, Virxhinia. Ajo u ul pranë shtratit të tij dhe ai i mori dorën. “Leibling, mos e lër vetëm motrën, – i tha Mbreti tani me një zë aq të dobët, saqë ajo mezi e dëgjoi. E di që ajo është njeriu i përsosur për gjithçka i duhet të bëjë në detyrat e saj si Mbretëreshë. Ka forcën dhe njohuritë për politikën, por do të të kërkoja që ta ndihmoje me djalin, për ta drejtuar që të ndërmarrë hapat e duhura në jetë”, përshkruhet në libër.
Kaluan edhe tri ditë para se Mbreti të binte në koma. Tri ditë agonie, shqetësimi dhe pikëllimi të pakufishëm për Mbretëreshën Geraldinë teksa shikonte njeriun të cilit i kishte përkushtuar jetën e vet, të shkonte. Ditën e tretë, Mbreti u përmend për një kohë të shkurtër, të mjaftueshme për të parë Princin Leka ulur pranë tij. Në këto çaste i rrëfeu ëndrrën: Se si e kishte parë Mbretëreshën Geraldinë, përsëri të bukur, por në moshë të thyer, teksa qëndronte në një anije që lundronte drejt portit të Durrësit.
Këto fjalë Mbreti Leka i përsëriti për mua njëzet e katër vjet më vonë në sallonin e pritjes në Belgravia. Mbretëresha Geraldinë po pushonte në dhomën ngjitur, që ishte boshatisur, në pritje të një pacienti. Njëri prej shqiptarëve e zgjoi dhe i tha: Hajde, shpejt! Kur ajo hyri në dhomën e Mbretit, ky hapi sytë, psherëtiu thellë dhe vdiq. Sikurse e kujton ajo këtë çast: Zoti më dha kurajë t’i mbyllja sytë e tij të bukur para se të gjunjëzohesha para shtratit për t’u lutur. Dhoma, papritur, u mbush me angullima vaji. Kjo vdekje u kishte marrë princeshave arsyen e vetme për të jetuar dhe tani nuk ishin në gjendje ta përmbanin veten.
Mbreti i Shqiptarëve, Zogu i Parë, Mbreti i të gjithë bijve të shqipes, që u kishte mbijetuar pesëdhjetë e pesë atentateve, nuk jetonte më. Vajtimi i tyre dëgjohej në gjithë spitalin. Njëri prej miqve të vjetër të Mbretit shkoi menjëherë të thërriste kryeimamin e Komunitetit Islamik në Paris. Shumë shpejt, katër imamë me veshjet e tyre të gjera erdhën në spital dhe vunë duart në kokë nga tmerri. E kthyen shtratin e Mbretit në drejtim të Mekës, bash kur hynë infermieret për ta çuar trupin në kishëzën e morgut, gjë që ishte e papranueshme për një mbret mysliman. /Telegrafi/