Gjakmarrja në Shqipëri: Priftërinjtë shkishërojnë vrasësit!

14:50 / 20.09.2012

Shtimi i numrit të vrasjeve dhe përmasat që ka marrë fenomeni i gjakmarrjes , kanë nxitur tre ipeshkvijtë e zonës veriore të Shqipërisë që të publikojnë, gjatë mbrëmjes së kaluar, dekretin e tyre kishtar, përmes të cilit ata shkishërojnë të gjithë autorët e vrasjeve dhe përkrahësit e tyre.

Është ky dekreti i parë i këtij lloji që ipeshkvijtë shqiptarë firmosin gjatë 22 viteve të rifitimit të lirive fetare në Shqipëri. Sipas ipeshkvit të Sapës, monsinjor Luçiano Avgustinit, kjo masë është marrë për të mbrojtur besimtarët.

“Bashkëndajmë me ju shqetësimin e madh dhe dhimbjen atërore që na kanë nxitur të shpallim dekretin për ndëshkimet kanonike të parapara në raste vrasjeje. Jemi me të vërtetë të shqetësuar për numrin e madh të vrasjeve dhe të akteve kriminale që janë duke ndodhur në këtë vit 2012”, thuhet në dekretin i cili u lexua nga Kryetari i Konferencës Ipeshvore të Shqipërisë, Arqipeshkvi i Shkodër- Pultit, imzot Engjëll Masafra.

“Me qëllim që të arrihet pendimi i vrasësve dhe zbutja e zemrave të të gjithë njerëzve, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos ndodhin, ne dekretojmë: se ‘kushdo që bën një vrasje ose bashkëpunon që ajo të bëhet, ose ndihmon në mënyrë të qëllimshme që ajo të ndodhë, në baze të nenit 1331 të Kodit të së Drejtës Kanunore, ndëshkohet me shkishërim”, transmeton “Zëri i Amerikës”.

Dekreti parashikon që autorët e vrasjeve nuk mund të marrin pjesë në kremtimet dhe sakramentet e kishës, si dhe në varrimet e krishtera në varrezat katolike.

Për docentin e Institutit Filozofik dhe Teologjik, dom Nikë Ukgjinin, dekreti i tre ipeshkvijve katolik synon jo ndëshkimin, por kthimin në rrugën e besimit. Ai shton se dekreti mund të shoqërohet me masa të tjera, që synojnë parandalimin e krimit.

"Në kuadër të këtij aksioni të marrë nga tre ipeshkvijtë kërkohet të krijohet edhe Këshilli i Meshtarëve për parandalimin dhe faljen e gjaqeve. Unë kam propozuar që dy vìte më pare, që të krijohet ky Këshillë, ku të marrin pjesë edhe klerikë të besimit myslimanë, për të qenë një veprimtari e vazhdueshme që të parandalohen këto fenomene, siç janë vrasja apo gjakmarrja".

Dekreti i tre ipeshkvijve të Shqipërisë po gjen jehonë mes besimtareve dhe shoqatave që merren me problemet e gjakmarrjes.

Drejtuesi i Fondacionit Drejtësi e Paqe, Luigj Mila, thotë se për parandalimin e krimit dhe gjakmarrjes duhet të punojnë bashkërisht të gjithë strukturat e shtetit shqiptar.

“Krahas këtij dekreti, që ka të bëjë me shkishërimin e përkohshëm të atyre që kryejnë krime, ne duhet të punojmë fuqishëm; strukturat fetare, shkollat, familjet, sidomos shteti shqiptar, strukturat e drejtësisë, që të përpiqemi ta zgjidhim problemin, jo me forcë, por me edukim”.

Vitet e fundit, në Shqipëri është rritur mjaft numri i konflikteve brenda familjes dhe për motive të pronësisë, konflikte këto që, në më të shumtën e rasteve, kanë përfunduar në mënyrë të dhunshme.

Vetëm gjatë këtij viti, në Qarkun e Shkodrës janë kryer 13 vrasje me 17 viktima, pjesa më e madhe e të cilave për motive të gjakmarrjes. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.