Gjashtë persona u dënuan për kontrabandim të emigrantëve
Trupi gjykues i përbërë nga një gjyqtar i EULEX-it dhe dy gjyqtarë vendas, i kryesuar nga gjyqtari i EULEX-it në Gjykatën e Qarkut në Prizren, i ka dënuar gjashtë persona nga rajoni i Pejës për veprën penale të kontrabandimit të emigrantëve. Tre të akuzuar të tjerë u liruan nga akuzat.Armend Bezera, Besim Idrizaj, Nysret Alijaj, Hasan Bobi u dënuan me nga një vit burgim; Tahir Berisha u dënua me dy vite e gjysmë burgim; ndërsa Naser Idrizaj u dënua me tri vite e gjysmë burgim. Po ashtu, Naser Idrizajt i është shqiptuar gjoba prej 1500 eurove për mbajtje në pronësi të paautorizuar të armëve, kurse është shfajësuar për posedim të paligjshëm të drogës.
Të gjithë të akuzuarit u shfajësuan për krim të organizuar.
Hetimet ishin bërë në bazë të informacioneve të marra nëpërmjet bashkëpunimit juridik ndërkombëtar me Shqipërinë. Hetimet kanë filluar në gusht 2010 kundër dy të akuzuarve, ndërsa në bazë të përgjimit të bisedave telefonike janë identifikuar dëshmitarët dhe bashkë-kryerësit. Të gjithë të akuzuarit u arrestuan në maj 2011. /Telegrafi/