Gjermanët shtojnë presionin ndaj Serbisë

17:56 / 18.04.2013

Duket se vizita e Ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj në Berlin, ka shtyrë grupin më të madh parlamentar në Bundestagun Gjerman, CDU/CSU, të dalë me kushte shtesë për Serbinë.

Gjatë një takimi që përfaqësuesit e këtij fraksioni kanë pasur me Komisionerin për Zgjerim të BE-së, Stefan Fule, ia kanë bërë të qartë parakushtet e këtij grupi, në rast të fillimit të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE.

Zëvendëskryetari i Grupit Parlamentar CDU/CSU, Andreas Schockenhoff renditi kushtet që duhet t’i përmbush Beogradi.

“Në dialogun aktual mes Kosovës dhe Serbisë nevojitet që: Marrëveshje të qarta dhe konkrete rreth të drejtave të serbëve si dhe rreth shpërbërjes së strukturave paralele në veri të Kosovës. Po ashtu rreth transparencës së ndihmës financiare të Serbisë për serbët e Kosovës. Këto marrëveshje duhet të pranohen dhe të mbështeten edhe nga qytetarët e veriut të Kosovës. Përfshirja e një plani të caktuar kohorë për zbatimin e këtyre marrëveshjeve, përfshirë këtu edhe raportet mbikëqyrëse nga BE. Për një vendim pozitiv të Grupit Parlamentar CDU/CSU këto marrëveshje duhet të gjejnë zbatimin e duhur. Kjo në veçanti vlen për fushat e rëndësishme si fusha e sigurisë, administratës dhe transparenca e granteve nga Serbia”, tha ai.

Nëse Parlamenti gjerman deri në Samitin e BE-së më 27/28 Qershor duhet të vendosë për hapjen e negociatave për anëtarësim me Serbinë, atëherë, sipas tij, paraprakisht duhet që marrëveshjet e lartpërmendura deri në takimin e Ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së të hënën që vjen, në detaje dhe në mënyrë pa asnjë mëdyshje të pajtohen në formë të shkruar dhe të pranohen në tërësi nga qeveritë e të dy vendeve.

“E domosdoshme për Grupin Parlamentar CDU/CSU për të marrë një vendim pozitiv për hapjen e negociatave për anëtarësim me Serbinë, është gjithashtu që të dyja palët para fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE në formë të një deklarate të shkruar apo verbale – të tregojnë vullnet të dukshëm që gjatë kohës së negociatave për anëtarësim të rregullojnë marrëdhëniet e tyre me detyrime ligjore me qëllim që Serbia dhe Kosova si dy shtete të barabarta dhe të pavarura dhe me të gjitha të drejtat sipas traktateve të BE-së bashkë të ushtrojnë të drejtat dhe obligimet e tyre”, tha Schockenhoff.

Zëvendëskryetari i Grupit Parlamentar CDU/CSU tha se “Grupi Parlamentar gjerman CDU/CSU nuk do të merr vendime rezervë. Një metodë e propozimit sipas të cilit ne qershor Serbisë do ti ofrohet një datë për hapjen e negociatave, me kusht që deri atëherë kushtet të caktuara të jenë përmbushur, për ne është e papranueshme. Grupi parlamentar CDU/CSU një vendim për hapjen e negociatave me Serbinë do të merr vetëm në bazë të përmbushjes se kushteve të përmendura paraprakisht”.

Para dy ditëve, kryediplomati kosovarë, Enver Hoxhaj, gjatë një vizite zyrtare në Berlin kishte kërkuar mbështetjen e Fraksionit CDU/CSU dhe Bundestagut gjerman për procesin e dialogut dhe perspektivën evropiane të Kosovës./Telegrafi/

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.