Gjermania s’lëshon pe

8:54 / 16.02.2013

Politikanët serbë kanë pak kohë për të bindur bashkëbiseduesit e tyre në Bruksel, e posaçërisht në Berlin, se Serbia meriton që deri në qershor të marrë datën për të filluar negociatat për anëtarësim me BE-në. Sipas burimeve serbe, zyrtarët gjermanë janë të mendimit se kjo vështirë do të ndodhë deri në qershor. Prandaj, Gjermania mbetet problemi i vetëm për Serbinë në BE.

“Gjermania nuk ka thënë në mënyrë eksplicite ‘jo’, por na thanë haptazi se shanset janë të vogla. Ata na ofrojnë shansin t’i bindim në të ardhmen, se janë bërë përpjekje të mëdha për çështjen e Kosovës dhe reformat e brendshme. Prandaj, në mars do të dërgojnë një grup të deputetëve në Serbi, për të parë situatën në terren”, thotë burimi i Blicit nga Qeveria e Serbisë.

Sipas këtij burimi, Berlini kërkon nga Serbia që para hapit tjetër në integrimin evropian, të zbatohet plotësisht marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve, por edhe për të bëhet një hap serioz në zgjidhjen e problemit të institucioneve paralele në veri të Kosovës, veçanërisht gjykatës në Mitrovicë, që do të jetë temë e raundit të ardhshëm të bisedimeve midis kryeministrit serb Ivica Dacic dhe atij të Kosovës, Hashim Thaçi. Gjithashtu, nga autoritetet në Beograd do të kërkohet që të tërheqë forcat e saj të sigurisë nga Kosova. Një problem tjetër është se Dacici dëshiron të negociojë në të njëjtën kohë për institucionet dhe autonominë e serbëve në veri të Kosovës, ndërsa Prishtina këtë nuk e do.

Për shkak të gjithë kësaj, Serbia po përjeton një javë të ngjeshur diplomatike. Zëvendëskryeministrja për integrime evropiane, Suzana Grubjesic, ka qenë në Francë, ndërsa javën tjetër, me nënkryetarin e parë të qeverisë serbe, Aleksandar Vucic, dhe me kryetaren e këshillit për integrime evropiane, Milica Delevic, ajo do të jetë në Berlin.

“Berlini shumë qartë i ka vënë kusht Serbisë: heqjen e institucioneve paralele në veri të Kosovës ose të paktën që një pjesë e përgjegjësisë të kalojë në Prishtinë. Në fakt, këto janë të njëjtat kushte që Angela Merkel i ka sjellë në Beograd në gusht 2011 dhe këtu asgjë nuk kishte ndryshuar. Berlini nuk pret që kjo çështje të zgjidhet menjëherë, por që ky proces duhet të iniciohet dhe të bëhen disa rezultate pozitive. Nuk jam e sigurt se mund të bëhet kjo për dy muaj. Unë madje mendoj se është e vështirë që kjo të kryhet në këtë periudhë”, tha Pribicevic.

Kryetarja e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin francez, Elisabeth Guigou, ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës mund të jetë kusht afatgjatë i Serbisë për anëtarësim në BE dhe se asgjë nuk do të ndodhë në këtë drejtim nëse raportet e Prishtinës dhe Beogradit nuk do të hyjnë në një fazë të re. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.