Gjykata Supreme e Kosovës e kthen në rigjykim rastin e Flamur Shaqirit

11:50 / 2.02.2013

Flamur Shaqiri është gjykuar për vrasjen e Remzi Buzukut dhe plagosjen e 11 personave tjerë në kafeterinë “Cabana” në vitin 1999. Shaqiri kishte ikur nga burgu dhe ishte strehuar në Amerikë ku rastësisht ishte vërejtur nga ish polici i UNMIK-ut, dëshmitar në këtë rast. Gjykata e Qarkut në Gjilan e kishte dënuar me 19 vite burgim, derisa Gjykata Supreme e Kosovës e kishte ngritur këtë dënim në 20 vite. Së fundit, Gjykata Supreme e ka anuluar edhe vendimin e Gjilanit edhe të vet Supremes, duke e kthyer rastin në rigjykim.

Gjykata Supreme, sipas aktgjykimit, ka konstatuar se në kohën kur i akuzuari kishte kryer veprën penale, nuk mund të shqiptohej dënim me më tepër se 15 vjet burgim.

“Për këtë arsye kjo Gjykatë ka miratuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të të gjykuarit dhe çështjen e kthen në rivendosje, me qëllim që Gjykata kompetente e shkallës së parë ta aplikojë drejt ligjin dhe konform atij ligjit të akuzuarit t`i shqiptojë dënimin përkatës” thuhet në aktgjykimin e Fejzullah Hasanit, transmeton Rajonipress.

Avokati mbrojtës,Shemsedin Piraj, tha se është bërë përpjekje e vazhdueshme që në rastin konkret të zbatohet ligji më i favorshëm ndaj të akuzuarit.

“Unë i besoj vendimit të Gjykatës Supreme dhe tani presim që çështja të procedohet në departamentin e krimeve të rënda, sipas shkeljeve që ka konstatuar Gjykata Supreme e Kosovës” tha Piraj.

Ndryshe, Gjykata e Qarkut në Gjilan e kishte dënuar Flamur Shaqirin më 25 nëntor 2011, me 19 vite burgim për veprën penale “vrasje e rëndë”. Pas ankesave të palëve, Gjykata Supreme e Kosovës e kishte ngritur dënimin për një vit më shumë duke shkuar në 20 vite burgim.

Sipas aktakuzës, ai dyshohej se më 28 nëntor 1999 në kafiterinë “Cabana”, pas një mosmarrëveshjeje me Bajram dhe Kemajl Bunjakun, i revoltuar në sjelljet e tyre, së pari ka thyer xhaminë e kafeterisë, pastaj është larguar nga aty dhe pas 10 minutave është kthyer sërish dhe pa paralajmërim e me dashje, me pushkën automatike AK-47 ka shtënë në rafalë, ku ka privuar nga jeta tani të ndjerin Remzi Buzukun, ndërsa ka tentuar t`i privojë nga jeta Mohamet Moharrem (polic i UNMIK-ut nga Kajro), Ali Mustafa (polic i UNMIK-ut), Jeton Mahmutin, Bajram Bunjakun, Burim Sylën, Selami Dubovën, Hysen Shkodrën, Halit Jakupin, Refik Hasanin, Fadil Hotin dhe Driton Shabanin.

Të gjithë këta persona, sipas aktakuzës, ishin duke festuar për ditën e 28 Nëntorit dhe që të gjithë kanë kërkuar ndihmën e spitalit të Gjilanit. Disa edhe janë udhëzuar në Qendrën klinike kirurgjike në Prishtinë si dhe në spitalin ushtarak të Bondstillit.

Shaqiri akuzohej për vrasje të rëndë dhe ndaj tij kanë dëshmuar 14 dëshmitarë. Gjatë hetuesisë, Flamur Shaqiri nuk e ka pranuar veprën.

“Në ditën kritike, më 28 nëntor 1999, kam kremtuar festën e Flamurit dhe kam ndërruar kafeteritë duke qenë nën ndikimin e alkoolit. Mirëpo, momenti kritik nuk më kujtohet, se me automatik kam privuar nga jeta Remzi Buzukun dhe kam lënduar 11 persona të tjerë”, është shprehur ai.

Shaqiri për 12 vite ishte fshehur jashtë Kosovës. Ai kishte ikur nga burgu dhe ishte arratisur në Amerikë. Atje rastësisht ishte vërejtur nga polici i UNMIK-ut nga Kajro, i cili edhe ishte i plagosur në ditën kritike. Pasi ka lajmëruar policinë amerikane, Shaqiri është arrestuar dhe është dorëzuar tek autoritetet kosovare.

Shaqiri në Amerikë kishte ndryshuar edhe identitetin dhe kishte bërë jetë komode në SHBA. Ka pasur mjaft mospajtime nga palët e dëmtuara edhe gjatë shqiptimit të dënimit, po edhe për tërë rrjedhën e procesit. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.