Gjyqtarja: Më hodhi acid, ishte pa maskë

9:48 / 17.01.2013

Një shishe Coca-Cola e mbushur me detergjent që përdoret për larje pllakash është hedhur mbi fytyrën e gjyqtares penale të Vlorës, ndërsa po nisej për në punë dje në mëngjes. Sulmi ka ardhur nga një person, i cili në momentin që i ka dalë përpara gruas ka qenë i pamaskuar dhe pas aktit është larguar në drejtim të paditur.

Mirela Mishgjoni, një nga emrat e njohur të Gjykatës së Vlorës është transportuar për në spital, menjëherë pas aktit të rëndë. Ndërkaq, policia ka nisur punën për identifikimin e autorit të këtij sulmi të rëndë, që më shumë se sa personal, është konsideruar si sulm për shkak të detyrës së saj. Policia e Vlorës ka siguruar dëshminë e Mishgjonit dhe të familjarëve të saj, por janë të shumtë edhe personat që janë shoqëruar dhe pas shpjegimeve janë lënë të lirë. Gruaja ka dhënë pak detaje në lidhje me portretin e personit që e ka sulmuar, por, gjithsesi ato kanë ndihmuar për të siguruar njëlloj identikiti të agresorit.

Sipas Shekullit, një grupi ekspertësh të hetimit i janë vënë në dispozicion të gjitha dosjeve që ka gjykuar Mirela Mishgjoni për të parë ndonjë element gjykimi që lidhet me sulmin, apo paralajmërimin. Hetuesit janë përpjekur të zbulojnë ndonjë konflikt personal që ajo mund të ketë patur në të kaluarën. Por, nuk kanë dalë akoma në ndonjë konkluzion kategorik. Postblloqet e shumta kanë shoqëruar veprimet policore, ndërsa referuar burimeve të besuara nga Policia e Vlorës, bëhet e ditur se ngjarja është drejt zbardhjes.

Rreth orës 08.30 të mëngjesit të djeshëm, Mirela Mishgjoni ka dalë nga apartamenti i saj në lagjen 28 nëntori të qytetit të Vlorës për të shkuar në gjykatë. Sapo ka kaluar portën e pallatit, i është afruar një person me një shishe në dorë, brenda së cilës ishte sasia prej rreth një litër e gjysmë me lënde që fillimisht u mendua të ishte acid, por më pas ka rezultuar të jetë detergjent që përdoret kryesisht për larje dyshemeje. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.