Globalizimi dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës

16:38 / 17.04.2010

Globalizimi si proces i përgjithshëm shoqëror është absolutisht i pashmangshëm për procesin arsimor dhe edukimin e njeriut gjatë gjithë jetës së tij. Kërkesat e globalizimit dhe trendet shumë të shpejta të zhvillimit të teknikës, teknologjisë dhe shoqërisë në përgjithësi e bëjnë shumë të nevojshme që të vendet në zhvillim, por, edhe ato të zhvilluara të krijojnë politika të atilla të cilat do të drejtonin këto procese drejt përballimit të të gjitha këtyre ndryshimeve të mëdha në botë.

Që të përcillen të gjitha këto ndryshime vërtetë është një sfidë e jashtëzakonshme për të gjitha vendet edhe për ato më një zhvillim të lartë, por, veçanërisht për vendet e pazhvilluara, sepse, përcjellja e këtyre trendeve kërkon adaptim dhe integrim të shumë sferave apo fushave të shoqërisë në zhvillimet e përgjithshme në botë.

Një ndër fushat më me rëndësi për përgatitjen e njerëzve për t’i përballuar këtyre zhvillimeve dinamike në botë është padyshim edukimi dhe arsimimi i brezave të rinj dhe në këtë kontekst me theks të posaçëm mund të përmendet tendenca e orientimit apo përgatitjes së individëve për nevojën e arsimimit apo për të mësuarit gjatë gjithë jetës. Gjithnjë e më shumë po bëhet e domosdoshme që secili individ të jetë një nxënës gjatë gjithë jetës, kjo për faktin që brenda një brezi që llogaritet të ketë jetë mesatare afërsisht 65 - 70 vite po ndodhin ndryshime rrënjësore nga lindja deri te vdekja e tyre.

A mund të imagjinohen të gjitha të arriturat që kanë ndodhur brenda 65-70 viteve te fundit dhe për pasojë cilat kanë qenë ndikimet e tyre ne zhvillimet e teknikës dhe teknologjisë së punës apo industrisë në përgjithësi. Padyshim që këto ndryshime janë jashtëzakonisht shumë të mëdha dhe kanë reformuar komplet shoqërinë dhe format e organizimit shoqërorë jo vetëm në sferën ekonomike, por, në të gjitha fushat e shoqërisë.

Tani nga kjo që u tha më lart, a ka ekzistuar apo a ekziston ndonjë institucion arsimor, shkollë, kolegj apo universitet që njeriu me përfundimin e saj të jetë në gjendje të i përballoi të gjitha këto ndryshime rrënjësore për periudhë të shkurt? Absolutisht është e pamundur, sado që të kemi institucione të përparuara, të organizuara mirë, me staf profesional dhe të pajisura me të gjitha kabinetet e nevojshme për zhvillimin e mësimit në format më bashkëkohore të mundshme, praktikat e deritanishme kanë treguar që gjithmonë me kalimin e një kohe të shkurtër dija që marrim nga shkollimi i cilitdo nivel për një kohë të shkurtër mund të zbehet apo ndoshta edhe të jetë i pavlefshëm si rezultat i zbulimeve te shumta që po ndodhin nëpër botë.

Kjo do të thotë që nëse ne jemi shkolluar të e kryejmë një punë të caktuar, për një periudhë kohore të caktuar ekziston mundësia që menjëherë pas përfundimit të shkollimit tonë dikush të shpikë ndonjë metodë tjetër të kryerjes së po të njëjtës pune me shumë më pak shpenzime dhe me një kohë më të shkurtër se sa ne për të cilën jemi kualifikuar me vite të tëra dhe kështu na nxjerr nga tregu i punës apo thënë më mirë humbin konkurrencën e tregut të punës.

Në këtë formë është zhdukur kënaqësia e përfundimit të një cikli të studimeve dhe gjetja e një vendi të punës me të cilin do të kemi garanci për të gjithë jetën. Kjo nënkupton që është IMPERATIV i kohës që të përgatitemi që nga fillimi i cikleve të para të shkollimit dhe deri te ato me të avancuara se vërtetë ajo që mësojmë gjatë shkollimit është bazë e mirë për jetën në praktikë apo për profesionin, por, po qe se dëshirojmë të jemi të suksesshëm në ushtrimin e këtij profesioni duhet patjetër të jemi në hulumtim, gjurmim, apo përcjellje të të gjitha zhvillimeve në botë që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me profesionin tonë apo që kanë apo mund të kenë ndonjë ndërlidhje indirekte me punën që e kryejmë ne.

Trendet e globalizimit të të gjitha sferave kanë të bëjnë me integrimin e sa më shumë fushave në sferën e ndërkombëtare apo në institucioneve me karakter ndërkombëtar të cilat shtrihen në shumë shtete apo në regjione të ndryshme të botës. Ky proces kërkon njerëz të kualifikuar për të drejtuar këto procese komplekse të bashkëpunimit të njerëzve më kultura dhe tradita të ndryshme brenda një sistemi të vetëm qoftë ai i organizuar edhe në shumë nënsisteme më të vogla.

Shembull konkret që sqaron mirëfilli nevojën e arsimimit gjatë gjithë jetës janë pasojat e krizës ndërkombëtare financiare si rezultat i së cilës miliona njerëz humbën vendet e tyre të punës dhe trendi i rritjes së papunësisë në vendet e zhvilluara është rritur ndjeshëm gjatë kësaj periudhe. Kjo nuk do të thotë se të gjithë ata njërës më nuk kanë nevojë për pagën e tyre me të cilën kanë mbajtur familjet e tyre, apo se këta njerëz janë lodhur nga puna.

Elementi i parë është që secila kompani qoftë e madhe, mesme apo e vogël gjatë sistemimit të punëtorëve mundohet që të mbajë pranë vetes punëtorët më të vyeshëm, më të kualifikuar të cilët janë padyshim edhe më produktiv për kompaninë, prandaj, zakonisht pësojnë punëtorët që janë kënaqur me punën e tyre dhe nuk kanë investuar në rritjen e vazhdueshme profesionale të tyre.

Elementi i dytë mjaft i dhimbshëm i këtij procesi është vështirësia e gjetjes së punës për këtë kategori të njerëzve, të cilat kanë pësuar nga krizat e ndryshme brenda kompanive të tilla dhe kjo është për faktin që këta njerëz janë larguar nga puna për faktin që nuk kanë qenë efektiv apo të nevojshëm për kompaninë për të cilën kanë punuar deri më tani në profesionin për të cilin janë kualifikuar dhe po qe se nuk kanë ndonjë aftësi, shkathtësi tjetër të cilën mund të e kryejnë ata, automatikisht bëhen barrë e sistemit shtetërorë.

Kur skemat e shërbimeve sociale janë të organizuara mirëfilli është më e lehtë për shoqërinë në përgjithësi të tejkalohen këto kriza dhe të pësojnë me pak familjet nga të cilat rrjedhin nga këto fenomene të humbjes së vendeve të punës. Por, në rast se shërbimet sociale nuk janë të organizuara mirë, karakteristike kjo e vendeve në zhvillim, atëherë, pasojat janë shumë më direkte dhe të drejtpërdrejta për familjet si institucioni themelor i shoqërisë.

Për t’i përballuar zhvillimet me karakter global në botë është shumë e domosdoshme që secili vend të krijoj mundësi për ngritjen e kualifikimit të punëtorëve të të gjitha shtresave të shoqërisë. Kështu, është shumë e domosdoshme që të krijohen mekanizma të ndryshëm të cilët ofrojnë programe rikualifikimi apo programe të avancimit të njohurive të qytetarëve për rrjedhat e fundit në zhvillimet botërore në fushat përkatëse që ndërlidhen me profesionin e tyre.

Pra, është shumë e domosdoshme që të mësuarit gjatë gjithë jetës të jetë mundësi për të gjithë qytetarët dhe kjo është e vetmja mundësi që ata të jenë të gatshëm t’i përballojnë vështirësive të tregut të punës dhe aftësimit të tyre për ri sistemimin e tyre neper vendet e punës.

(Autori është student në Master – drejtimi Menaxhimi i arsimit)

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.