Grabiten veturat luksoze në Shkup
Grabitja e veturave luksoze në Shkup, muajve të fundit është bërë një dukuri shqetësuese, kurse Ministria e Punëve të Brendshme është vënë në kërkim të rrjetit të grabitësve profesionistë.Në shënjestër janë makinat luksoze me vlerë mbi 30 mijë euro dhe se së fundi janë grabitur dy makina luksoze Mercedes Benz dhe një BMË X5, shkruan gazeta “Fokus”.
Pronari i BMË X5 ka sqaruar se ka lajmëruar grabitjen në polici dhe se ai ishte marrë në pyetje nga inspektorë policor duke u sprovuar edhe para detektorit të gënjeshtrave. Por pronari i makinës luksoze ka theksuar se disa ditë më parë persona të caktuar i kishin ofruar garazhë për makinën e tij, pasi që e kishin parë të parkuar pranë bulevardit “Aradhat partizane”, mirëpo ai kishte refuzuar këtë. Vetëm disa ditë më pas kjo makinë është grabitur, transmeton INA.
Policia dyshon se grabitësit shfrytëzojnë një çelës special për të hapur makinat, që është i siguruar në tregun e zi në Gjermani dhe ka një kosto prej 30 mijë eurove. Me këtë çelës siç thuhet mund të hapen të gjitha makinat, pa u aktivizuar alarmi. Dyshimi tjetër është se grabitësit mund të kopjojnë çelësat e makinave luksoze, dhe kjo ndodhë shpesh në autolarje, ku grabitësit bashkëpunojnë dhe arrijnë të kopjojnë çelësat.
“Fokus” shkruan se Maqedonia është shndërruar në ethet e grabitjeve të makinave luksoze, ashtu si më parë në gjendje të tillë ishte Bullgaria. /Telegrafi/