Gratë vetëm numër apo zë i vërtetë në politikë?

12:09 / 8.03.2010

8 Marsi - Dita ndërkombëtare e gruas e cila festohet në shumë vende të botës i kushtohet të gjitha grave të cilat luftuan me shekuj dhe vazhdojnë të luftojnë për të drejta të barabarta të inkuadrimit të plotë të saj në jetën shoqërore dhe politike. Lëvizjet e grave për barazi dhe drejtësi sollën ndryshime të rrënjësishme në mirëqenien e gruas në botë.

Gratë sot gëzojnë të drejtën e votës, shkollimit, punësimit dhe shumë të tjera por gruaja edhe sot vazhdon të jetë e papërfaqësuar në proceset politike. Përfaqësimi jo i barabartë i grave në proceset e zhvillimit shoqëror, ekonomik dhe politikë ka qenë dhe vazhdon të jetë temë kryesore e kritikëve feminist dhe deri tani qindra kampanja janë organizuar në mbarë botën në mënyrë që ta ndryshojnë pozitën e gruas në politikë.

Përfaqësimi i gruas në politikë ndryshon prej vendit në vend. Për shembull në Arabinë Saudite përqindja e grave në parlament është 0% ndërsa në Ruanda, e cila tani për tani ka përqindjen me të lartë në botë të grave në parlament, është 56%. Pas Ruandës vjen Suedia me 47.0%, Afrika Jugore 44.5% pastaj Kuba 43.2% dhe kështu me radhë. Por ka edhe shtete të cilat kurrë nuk kanë pasur gra në parlament si për shembull Arabia Saudite, Omani, Mikronezia apo Qatari.

Por ku qëndron Kosova? Edhe pse pas luftës në Kosovë u bënë hapa të rëndësishëm dhe pozitivë si për shembull adaptimi i ligjeve si ligji për barazi gjinore, ligji kundër diskriminimit, ligji për familjen, dhe prezantimi i kuotave prapëseprapë gruaja në Kosovë vazhdon të jetë e papërfaqësuar.

Tani për tani në parlamentin e Kosovës 30% të deputetëve janë gra. Kjo përqindje nuk është e ulët përkundrazi ia tejkalon edhe vendeve më të zhvilluar në botë si për shembull Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku përqindja e grave është vetëm 16.8% ose Anglisë e cila ka vetëm 20%. Por ky 30 përqindësh duket i përkryer në letër por jo edhe në praktikë. Prej 30 komunave në Kosovë asnjë nuk udhëhiqet nga një grua dhe prej 17 ministri sa ka gjithsesi Kosova vetëm dy prej tyre drejtohen nga gratë. Po ashtu, nëse e shikojmë listën e të ngarkuarve me punë në vendet perëndimore deri më tani nuk figuron asnjë femër.

Pse është e rëndësishme të kemi përfaqësim të barabartë të dy gjinive në parlament?

Përfaqësimi i barabartë i gruas në politikë është konsideruar të jetë shumë i rëndësishëm. Njëra ndër argumentet kryesore është se përderisa gratë përbëjnë 50% të popullsisë është e drejtë juridike elementare që gratë të përfaqësohen në institucionet politike në mënyrë të barabartë me burrat. Demokracia e kërkon një gjë të tillë sepse mos përfaqësimi i barabartë i grave në politikë bie në kundërshtim me konceptin e demokracisë.

Sipas Luljeta Vuniqit, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, ‘gratë duhet të marrin pjesë në politikë sepse pa to koncepti i demokracisë është i gjymtë dhe pa perspektivë për një vend’. Pra një përfaqësim i barabartë i grave në politikë është parakusht për funksionimin e demokracisë, për ndryshime sociale dhe zhvillim ekonomik.

Argument tjetër për inkuadrim të barabartë të grave në politikë duke u bazuar në argumentin e shkencëtares politikane Angleze Ann Philips është se gratë kanë interesa, nevoja dhe eksperienca të ndryshme nga burrat dhe se këto interesa mund të përfaqësohen vetëm nga gratë e jo nga burrat dhe për këtë arsye duhet të ketë përfaqësim të barabartë të dy gjinive në parlament. Sipas Ann Philips, në institucionet politike të dominuara nga meshkujt çështjet që kanë të bëjnë me gratë si dhuna në familje, dhunimi, abuzimi dhe diskriminimi seksual, varfëria te gratë, sëmundjet e grave (si për shembull kanceri i gjirit) dhe shumë çështje tjera lihen të pa përfaqësuara.

Kush mund të ndikoj në ndryshimin e gjendjes së pozitës së gruas në politikë? Partitë politike, shoqëritë civile apo kuotat?

Shumë mendojnë se mungesa e gruas në proceset politike është si rezultat i kualifikimit të ultë te gratë, mungesës së talentit, mungesës së ambicieve politike dhe të vetëbesimit për të marrë vendime politike. Është e vërtetë se në shumë raste niveli i edukimit te gratë është më i ultë sesa te burrat por kjo nuk do të thotë se gratë janë më të paafta se burrat por se gratë gjithmonë kanë qenë të diskriminuara dhe vazhdojnë të diskriminohen në aspektet edukimit dhe të punësimit. Prandaj mungesa e mundësive materiale për tu promovua, kushtet e rënda ekonomike dhe sociale për shumë gra janë disa nga pengesat të cilat nuk i lejojnë gratë të inkuadrohet në politikë. Por përveç këtyre pengesave, ndër pengesat kryesore janë barrierat institucionale si për shembull sistemi i rekrutimit në partitë politike.

Partitë Politike

Problemi me partitë politike në Kosovë është se ato kanë inkuadruar gra në partitë e tyre por ato rrallë herë nominohen si kandidate për poste më të larta. Kjo mund të shihet shumë qartë nga zgjedhjet e fundit lokale të 15 Nëntorit ku vetëm 6 kandidate femra konkurruan për kryetare të komunave të ndryshme. Partitë më të mëdha politike në vend si Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të cilat kanë premtuar dhe vazhdojnë të premtojnë përfshirje më të gjerë të grave në politikë nuk kandiduan as një femër për kryetare të ndonjë komune.

Çfarë duhet të bëjnë partitë politike? Përderisa mënyra më e zakonshme për të u inkuadruar në politikë është përmes partive politike, partitë politike luajnë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm sa i përket inkuadrimit të gruas në proceset politike. Në mënyrë që partitë tona politike ta luajnë këtë rol të rëndësishëm duhet që pikësëpari të adaptojnë një strukturë të brendshme demokratike pra partitë politike në Kosovë duhet të demokratizohen. Sipas Arjeta Rexhaj, drejtoreshë e Qendrës për Trajnime dhe Studime Gjinore, në një intervistë të dhënë për Kosova Sot pat theksuar se partive politike në Kosovë ju mungojnë ‘’mekanizma për përfaqësim të drejtë’’ dhe për këtë arsye ‘’pa demokratizim brenda partiak dhe fuqizim të gruas në vendimmarrje brenda partisë politike, është shumë e vështire që gruaja në Qeveri të jetë e përfaqësuar denjësisht’’.

Partitë politike duhet ti sigurojnë përkrahje grave dhe financim në mënyrë që t’ju ndihmojnë në kandidimin dhe fitoren e tyre. Partitë politike duhet ti përfaqësojnë gratë në mënyrë të barabartë me burrat duke i inkuadruar ato edhe në nivele më të larta të partisë jo vetëm në nivele të ulëta.

Kuotat

Sa i përket kuotave, ato kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ngritjen e përfaqësimit të gruas në politikë dhe kjo mund të shihet qartë nga zgjedhjet e para pas luftës kur kuotat nuk ishin prezantuar ende përqindja e grave në parlament ishte vetëm 8.6 ndërsa pas prezantimit të kuotave numri i grave në parlament arriti në 30%. Por kjo ngritje e përqindjes në parlament nuk solli ndonjë ndryshim të gjendjes së përgjithshme të pozitës së gruas në politikë.

Kuotat një farë mënyrë kanë krijuar standarde mekanike të cilat i detyrojnë partitë politike të arrijnë 30 përqindshin e grave në parlament. Kuotat ngritën numrin e grave në Parlament por jo edhe zërin e tyre. Pra, tani për tani gratë deputete nuk janë në parlament ti përfaqësojnë gratë por janë aty sepse kështu obligohen partitë politike nga ligji për barazi gjinore dhe në këtë rast gratë në parlament nuk i përfaqësojnë gratë dhe interesat e tyre por interesat e partisë.

Sipas z. Vuniqit ‘gratë deputete pikësëpari përfaqësojnë interesat e partive e në raste të rralla edhe të grave ... sepse partive politike në Kosovë ... sidomos partive më të mëdha, u mungon demokracia brenda partiake, ku gratë nuk janë shumë të përfaqësuara në organet vendimmarrëse brenda partive dhe në këtë mënyrë pa fuqi reale në partinë e tyre’.

Shoqëria civile

Në demokracitë moderne shoqëria civile luan një rolë të rëndësishëm dhe mund të kontribuon në mënyra të ndryshme në avancimin dhe inkuadrimin e grave në proceset politike. Shoqëritë civile mund t’i ndihmojnë grave duke lobuar për të siguruar që qështjet e grave të adresohen në platformën e partisë dhe për ndryshime në legjislativ. Poashtu duke organizuar projekte të ndryshme për ti edukuar qytetarët për rëndësinë dhe arsyet se pse duhet të kemi një përfaqësim të barabartë të grave në politikë.

Organizatat joqeveritare të grave në Kosovë pas luftës kanë luajtur një rol të rëndësishëm në përkrahje për barazi gjinore duke organizuar projekte dhe kampanja të ndryshme me çështjet që kanë të bëjnë më pozitën dhe përfaqësimin e gruas në institucionet politike. Por të gjitha iniciativa e marra nga OJQ-të e grave në Kosovë nuk mund të arrihen pa ndihmën e deputeteve femra të cilat janë prezente në parlament. Sipas Igballe Rugovës, drejtoreshë ekzekutive e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës, ‘gratë brenda partive politike nuk po luftojnë shumë për pozitën e tyre brenda partive’.

Edhe pse 30 përqindëshi i femrave në Parlament është arritur edhe sot gratë në Kosovë vazhdojnë të lihen jashtë proceseve politike si në postet udhëheqëse në pushtetin qendror po ashtu edhe në pushtetin lokal pra interesat e grave në Kosovë vazhdojnë të jenë të pa përfaqësuara. Po ashtu ndryshimet më të fundit, sidomos shkrirja e Partisë Reformiste Ora në LDK dhe dorëzimi i liderës së fundit, Teuta Sahatqija, nënkupton se pozita e gruas në politikë nuk po shkon drejt emancipimit dhe integrimit të saj por drejt margjinalizimit të saj. Dhe e gjithë kjo po ndodh si rezultat i diskriminimit të grave në Kosovë pikësëpari nga liderët politikë dhe po ashtu edhe nga vetë institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Nga kjo shihet se në Kosovë politika vazhdon të udhëhiqet nga burrat dhe gratë shërbejnë vetëm si numër për të plotësuar kuotat andaj hapa të menjëhershëm duhet të merren nga partitë politike, nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare dhe po ashtu edhe nga vetë gratë në parlament për ndryshimin e kësaj gjendje.

(Autorja është diplomuar në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Politikë)

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.