Gruaja gjendet e plagosur në koshin e mbeturinave
Një 25-vjeçare e plagosur rëndë është gjendur mëngjesin e sotëm e hedhur në mënyrë misterioze në një kosh mbeturinash në kontejnerin numër 8, të qytetit të Korçës. Nga hetimet paraprake mësohet se e plagosura është Eriselda Elmazi, 25-vjeçe, nënë e dy fëmijëve dhe i përket komunitetit rom.Burime nga policia e Korçës bëjnë me dije se kanë qenë punonjësit e pastrimit, të cilët kanë vënë re trupin e një vajze të re, teksa po zbraznin mbeturinat e qytetit dhe të cilët kanë lajmëruar menjëherë policinë. Sipas dëshmive të dhëna nga punonjësit, vajza ka qenë pa ndjenja, ndërkohë që policia e ka dërguar menjëherë në spital. Bluzat e bardha pas kontrollit kanë konstatuar se e reja ishte në jetë, ndërkohë bëjnë me dije se 25-vjeçarja ka plagë të rëndë në kafkë nga mjete të forta dhe të mprehta dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Gjendja e rëndë ka bërë që mjekët e Korçës të marrin vendimin ta nisin 25-vjeçaren me një autoambulancë drejt spitalit Ushtarak në Tiranë, për shkak të pamundësisë së ngritjes se një helikopteri si pasojë e kushteve jo të përshtatshme atmosferike, transmeton Balkan Web.
Blutë e qytetit juglindor pak orë më vonë ngjarjes kanë zbardhur edhe misterin e saj. Nga hetimet paraprake mësohet se 25-vjeçarja e divorcuar është goditur nga ish-bashkëshorti për motive të ulëta. Më pas dhunuesi ka menduar se e ka vrarë nënën e 2 fëmijëve të tij dhe e ka hedhur trupin e saj në koshin e mbeturinave pranë banesës.
Policia e Korçës ka shpallur në kërkim ish-bashkëshortin e saj, shtetasin Romeo Babani, i cili dyshohet si autor i plagosjes. /Telegrafi/