Gruevski po i tregon vijat e kuqe
Pasi dje opozita doli me reagime ndaj fjalimit që të premten e mbajti kryeministri Nikola Gruevski, sot mendimin e tyre e thanë edhe një pjesë e ekspertëve në vend. Retorikën e Gruevskit ata vlerësojnë si shumë të pavolitshme për partnerin e koalicionit, BDI-në. Ish-politikani, Naser Zyberi, thotë se në fjalimin e Gruevskut u treguan qartë vijat e kuqe për partnerin shqiptar në pushtet. Ai konsideron se në periudhën që vjen, kjo sjellje e Gruevskit do t’i thellojë edhe më shumë tensionet në vend.
"Ai tha se nuk pajtohet me shumë çështje që i inicion partneri i koalicionit, siç është ideja për sjelljen e ligjit për ish ushtarët e UÇK-së, iniciativa për ndërrimin e emrave të disa shkollave... Mendoj se pas mbledhjes së mbrëmshme dhe ekspozesë së kryeministrit, problemet jo që do të zgjidhen, por do të shpërthejnë në intensitet edhe më të vrullshëm... Maqedoninë e pret një vjeshtë shumë e nxehtë" , tha Zyberi për “Alsat-M”.
Ngjashëm mendon edhe analisti politik Petar Arsovski.
"Fjalimi i kryeministrit ishte i pakëndshëm për BDI-në dhe lë një problem në status quo, me të cilin de fakto dëshmohet qartë se partnerët politikë në pushtet nuk kanë vendosur nëse do t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre, nëse do të vazhdojnë të punojnë së bashku, apo nëse nuk munden - të tregojnë se cila është alternativa. Ndonjëherë krijohet përshtypja se partnerëve në Qeveri iu përgjigjet që për disa punë të jenë të grindur, ndërsa njëkohësisht të vazhdojnë të punojnë së bashku”, tha Arsovski.
Tensionet mes partive të koalicionit në pushtet u përkeqësuan muajin e kaluar, kur në 11 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, ministri i Mbrojtjes Fatmir Besimi, i shoqëruar nga oficerë të ARM-së, zëvendës- kryeministri Musa Xhaferi, ministri i Drejtësisë Blerim Bexheti dhe zëvendës-ministri i Brendshëm Xhelal Bajrami, u përkulën dhe vendosën lule në përmendoren e dëshmorëve dhe martirëve të UÇK-së në Sllupçan. /Telegrafi/