Guajana zyrtarizon njohjen e Kosovës

18:43 / 13.06.2013

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Guajana, ku gjatë takimit me ministren e Punëve të Jashtme, Carolyn Rodrigues-Birkett, ka nënshkruar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Guajanës.

Vendimin për njohjen e Kosovës, Qeveria e Guajanës e ka marrë në mars të këtij viti, ndërsa vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve ka formalizuar dhe zyrtarizuar këtë njohje.

Gjatë qëndrimit në Xhorxhtaun, përveç takimit me homologen Rodrigues-Birkett, Hoxhaj u prit edhe nga presidenti i këtij shteti, Donald Ramotar.

Gjatë takimeve është shprehur përkushtimi i dy shteteve për fuqizimin e marrëdhënieve dhe shkëmbimeve ndërmjet Kosovës dhe Guajanës, thuhet në një kumtesë të MPJ-së.

Rodrigues-Birkett tha se vendimi për njohjen e Kosovës ka qenë i pashmangshëm, i drejtë dhe se është mirënjohje për të kaluarën dhe vuajtjet e popullit të Kosovës. Ndërsa, Ramotar ka thënë se njohja e Kosovës ka qenë e domosdoshme dhe është në përputhje me parimet dhe orientimet e politikës së jashtme të Guajanës.

Guajana është shtet anëtar i Komunitetit të Karaibeve (CARICOM) dhe në kryeqytetin e saj, Xhorxhtaun, ndodhet selia e sekretariatit të kësaj organizate. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.