MD: Vetëm gjashtë këshilltarë paguhen nga buxheti

13:53 / 2.05.2013

E plotësuar: Ministria e Drejtësisë ka sqaruar të enjten se nga trembëdhjetë zyrtarët, vetëm tetë paguhen nga buxheti i Ministrisë së Drejtësisë, respektivisht gjashtë këshilltarë dhe dy asistentë.

Sipas MS-së, numri i zyrtarëve të cilët janë të angazhuar në këtë kabinet është plotësisht në përputhje me rregulloren përkatëse, duke qenë se përveç si ministër i Drejtësisë, Kuçi mban edhe pozitën e zëvendëskryeministrit të Republikës së Kosovës.

“Më konkretisht, Prof. Dr. Zejnullah Gruda është Drejtor i Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, ndonëse figuron si këshilltar nderi për Ministrin dhe ai nuk paguhet nga Kabineti i Ministrit. Gjithashtu, Rexhep Haxhimusa, siç ceket edhe në ueb faqen e Ministrisë, është këshilltar i jashtëm dhe meqë gëzon beneficionet si ish-kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës, ai nuk paguhet nga Ministria e Drejtësisë. Ngjashëm me këtë, Donikë Qerimi, Jehona Lushaku dhe Dardana Rruka, janë këshilltare nga Projekti CDF, të zgjedhura dhe të paguara nga ky projekt i përbashkët midis UNDP-së dhe KFOS dhe janë të angazhuara me qëllim të ngritjes së kapaciteteve në Ministrinë e Drejtësisë”, thuhet në reagim.

Prandaj, sipas MD-së, numri i zyrtarëve të cilët janë të angazhuar në këtë kabinet është plotësisht në përputhje me rregulloren përkatëse. /Telegrafi/

Hajredin Kuçi me 10 këshilltarë

Trembëdhjetë zyrtarë janë të punësuar vetëm në Zyrën e Hajredin Kuçit në Qeveri. Në kabinetin e Ministrit të Drejtësisë punojnë katër zyrtarë më shumë se sa në Zyrën e kryeministrit Hashim Thaçi.

Zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçit ia kanë pa hajrin trembëdhjetë zyrtarë, të cilët janë punësuar në kabinetit e tij, shkruan “Express”.

Numër kaq të madh të të punësuarve nuk ka as në kabinetin e Kryeministrit Hashim Thaçi, i cili ka emëruar shtatë këshilltarë, një shef të Kabinetit dhe një shef të Protokollit.

Kuçi ka marrë afër vetës dhjetë këshilltarë, një shefe të kabinetit dhe dy asistentë. Listës së këshilltarëve të Kuçit i prin Muharrem Mahmutaj si Këshilltar të Lartë Politik, ndërsa Zejnel Kelmendi, Idriz Blakaj, Driton Lajçi, Eqrem Zenelaj, Zejnullah Gruda, Rexhep Haxhimusa, Donikë Qerimi, Dardana Rruka dhe Jehona Lushaku janë këshilltarë të zëvendëskryeministrit.

Shefe e Kabinetit është ish-kandidatja e PDK-së për deputete, Laura Perjuci-Zherka, kurse Brikenda Shala e Shqiprim Haziri e luajnë rolin e asistentëve të ministrit të Drejtësisë.

Ndryshe, Kuçi aktualisht është nënkryetar i PDK-së dhe njeri më i afërt i kryeministrit Hashim Thaçi në Qeveri.

Kuçi kishte dhënë dorëheqje verën e kaluar nga posti i Ministrit të Drejtësisë për shkak të dy neneve të kontestuara nga gazetarët në Kodin Penal. Ende pa u shfuqizuar këto dy nene, Kuçi ishte rikthyer në pozitat qeveritare.

Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Drejtësisë prej prillit të vitit 2011 e luan edhe rolin e zëdhënësit të ekzekutivit, meqë Qeveria Thaçi II ende s’ka të emëruar zëdhënësin. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.