Hakmarrje në Shipol

9:22 / 5.01.2013

E nisën djemtë, e vetë përfundoi i vdekur. Një problem i mëhershëm në mes të familjes Hyseni dhe disa personave në Mitrovicë, rezultoi me vdekjen e një 58 vjeçari dhe plagosjen e një personi tjetër natën e 3 janarit.

Hakif Hyseni u vra pak para mesnate në ballkonin e shtëpisë së tij në Shipol të Mitrovicës. Ai u vra me kallashnikov nga persona të cilët ende nuk janë arrestuar. Ndërkaq, pak orë para se të vritej Hyseni, në qytet plagoset Lulzim Tolaj, i cili është jashtë rrezikut për jetë. Mësohet se Tolajn e plagosi njëri nga djemtë e të ndjerit, i cili kishte marrë hak për plagosjen e të vëllait në korrik të vitit 2011. Derisa të premten kufoma e Hakif Hysenit bëhej gati të dërgohej në varreza, familjarët prisnin edhe disa nga djemtë e të ndjerit që vinin nga kurbeti, shkruan "Express"

Të tjerët që janë në shtëpi e dinë se kush ua ka vrarë babanë. Ata thonë se këtë e kanë bërë njerëzit e të shumë të përfolurit në Mitrovicë, Ismet Haxha. Por, asnjë nga djemtë nuk duan të flasin për ngjarjen që ka ndodhur dhe për këtë e autorizojnë dajën e tyre. Nebih Zeqiri tregon se problemi në mes të nipave të tij dhe njerëzve që dyshohet se e kanë vrarë Hakifin është goxha i moçëm.

Sipas tij, problemi në mes të familjes së dhëndrit dhe njeriut me emrin Ismet Haxha ka filluar qysh në korrik të vitit 2011, kur djemtë e të ndjerit kanë pasur një ngatërresë në restorantin e Haxhës në Mitrovicë. Pas një ore në shtëpi kanë ardhur 40 persona, të gjithë të armatosur dhe pas një fjalosjeje në mes vete e kanë plagosur në këmbë djalin e të ndjerit, Shpëtimin. Prej asaj kohe, sipas Nebihut, palët nuk janë pajtuar në mes vete.

“Dje gjatë ditës kanë ardh gjin mu pajtu, i ndjeri Hakifi u ka thënë ‘unë po jau fali, po djemtë nuk po donë’, citon Nebih Zeqiri fjalët e Hakifit të ndjerë.

Duke mos u pajtuar me “faljen”, njëri nga djemtë e Hakifit rreth orës 22 ka shkuar dhe ka plagosur njërin nga njerëzit e Ismet Haxhës, Lulzim Tolaj. Rastin e konfirmon edhe policia, por edhe familja Hyseni. Djali që shtiu me revole dhe e plagosi Lulzimin e pranon se e ka bërë këtë.

“Një me një, ai ma ka plagos vëllanë, unë e plagosa atë”, tregon djali i cili nuk prezantohet me emër.

Policia kishte shkuar në shtëpinë e Hysenëve për ta kërkuar të dyshuarin që kishte plagosur Tolajn, por nuk e gjejnë në shtëpi. Pak para mesnatës, Hakif Hyseni doli në ballkonin e shtëpisë që gjendet afër rrugës dhe nga një veturë u gjuajt në të. Një plumb i kallashnikovit e goditi në kokë, gjë që i shkaktoi vdekjen, ndërsa tjerët depërtuan edhe brenda dhomës së ndejës.

Vrimat e plumbave nëpër dhomë shihen kudo, ndërsa në ballkon ka ende pellg gjaku të të ndjerit.

Miku i tij, Nebih Zeqiri, tregon se Hakifi u vra në prani të policisë, pasi që ata ishin ftuar nga zoti i shtëpisë për arsye se kishte parë disa vetura të dyshimta duke u sjellë andej pari.

Ndërsa djemtë e të vrarit dyshojnë se Ismet Haxha i ka punët mirë me të “mëdhajt” pasi që kurrë asnjëherë nuk u ndërmor asgjë, pavarësisht se pretendojnë se u sulmuan në shtëpinë e tyre në korrik të 2011-ës.

Se Hyseni është vrarë në prani të policisë e konfirmon edhe zëdhënësi i Policisë, Besim Hoti. Sipas tij, policia ishte te shtëpia e të ndjerit në momentin kur u vra. Hoti mohon se në këtë sulm të jetë plagosur ndonjë polic. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.