Halbauer interesohet për sigurinë e komuniteteve në Prizren
Komandanti i KFOR-it, Volker Halbauer të martën ka vizituar drejtorinë rajonale të Policisë së Kosovës në Prizren, me ç'rast është interesuar për gjendjen e sigurisë, me theks të veçantë në jetesën e komuniteteve pakicë.Autoritetet policore kanë njoftuar se e kanë njoftuar kreun e KFOR-it me punën që bëhet në këtë rajon dhe se rendi dhe qetësia publike është në nivel të lartë, për të gjithë qytetarët pa dallime etnike.
"Gjenerali Halbauer kryesisht është interesuar për rendin e qetësinë publike dhe problemet që mund të kenë komunitetet në rajonin e Prizrenit, veçanërisht pjesëtarët e komunitetit serb. Nga drejtori i Policisë rajonale, Nexhmi Krasniqi ai është informuar se deri më tani nuk ka pas incidente me motive etnike dhe se gjithçka është në suaza të normales", ka thënë Hazir Berisha, zëdhënës i Policisë në Prizren, transmeton Koha.net.
Sipas tij, Policia e Kosovës prej kohësh ka marrë përgjegjësinë edhe për ruajtjen e kishave dhe manastireve serbe dhe deri më tani nuk është hasur në asnjë incident.
"Edhe liria e lëvizjes është në nivel të kënaqshëm dhe kjo vërtetohet me ardhjen e pelegrinëve, ku Policia e Kosovës ofron përcjellje vetëm në rastet kur një gjë e tillë kërkohet. Përndryshe ata vijnë dhe kryejnë ritualet e tyre pa nevojën për praninë e Policisë", tha Berisha. /Telegrafi/