Haradinaj: Koalicion, vetëm me Ramushin si kryeministër
Një ndër figurat kyçe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, thotë se qëndrim i AAK-së është “të jemi pjesë e dialogut me Serbinë, pavarësisht se a do të jemi në të ardhmen pjesë e qeverisë apo jo”.‘’Kosova ka kaluar një periudhë të vështirë ne raport me Kosovën. Takimi ne Bruksel ne mes dy kryeministrave nuk do t’i sjell te këqija Kosovës, por do të jetë një hap me tutje, sepse integrimet evropiane vështirë janë të mundshme pa ndërtim të raporteve ndërfqinjësore. Prapëseprapë, mendoj që Serbia nuk do të heq dorë lehtë, por edhe ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të kemi një platformë më të sofistikuar, një harmonizim të qëndrimeve politike brenda Kosovës, subjekteve politike, shoqërisë civile. Sepse, kjo nuk është çështje e individit - ajo duhet të jetë gjithëpërfshirëse”, thotë Haradinaj.
Sipas tij, dialogu me Serbinë e dimë është i dhimbshëm, i kushtueshëm, por “ne duhet të jemi të gatshëm t’i marrim përgjegjësitë tona në këtë proces”.
“Serbia ka qenë agresor në Kosovë. Serbia vazhdon me politikën ose me avazin e vjetër, sidomos kur e kemi parasysh që trashëgimtarët e asaj politike sot janë në krye të shtetit. Ne nuk presim shumë nga politika në Beograd. Unë më shumë kisha pritur nga faktori ndërkombëtar që ky dialog ta ketë një epilog final që duhet të jetë: integrimi i Kosovës në strukturat e BE-së”.
Duke folur për rastin e protestës së Vetëvendosjes dhe qëndrimit që pati Policia e Kosovës ndaj protestuesve, Haradinaj tha për RTV21: “Format e shprehjes janë të lejueshme, janë demokratike, por përdormi i dhunës është i keq për imazhin e Kosovës. Edhe policia, por edhe Vetëvendosja duhet të jenë më të kujdesshëm në këto situata. Nuk duhet ta dëmtojmë perspektiven e këtij shteti për shkak të agjendave - qofshin ato të politikave ditore, apo edhe të ndonjë individi të caktuar. Nuk guxojmë t’i dëmtojmë institucionet tona”.
Lidhur me koalicionin e mundshëm PDK-AAK, Haradinaj tha: “Qysh në 2007-ën kemi thënë që një qeveri e udhëhequr nga Ramush Haradinaj do të ishte në favor të Kosovës... Në rast se Ramush Haradinaj vjen në qeveri dhe kryeministri aktual largohet, kjo do të ishte në favor të Kosovës. Por, gjithmonë duhet të kemi parasysh që jemi në pritje të një vendimi final që shpresojmë se shumë shpejt do të ndodhë. Atëherë do të ulemi në tavolinë dhe do t’i bëjmë publike qëndrimet tona. Aleanca do të jetë pjesë e zgjidhjes e jo pengesë e saj”.
Sipas tij, ngrehja e dollisë me kryeministrin Thaçi nuk do të thotë që ndryshon mendimet e mija për një kryeministër i cili nuk ka performuar mirë në udhëheqje të Kosovës. Ndërsa, shton se disa procese nuk janë të rastësishme.
“Nuk ka ndodhur krejt rastësisht që gjithmonë para zgjedhjeve largohet Ramush Haradinaj prej Kosove. Gjithmonë thirren në emër të drejtësisë, por ju po e shihni që drejtësia nuk është gjithmonë reale. Ka agjenda, ka tendenca, jo krejt Bota janë miq të Kosovës’’ ka thënë Haradinaj. /Telegrafi/