Hasan Prishtina edhe në Shkup
Më 14 tetor do të vendoset busti i heroit shqiptar Hasan Prishtina në një nga pjesët qendrore të Shkupit. Projekti realizohet nga komuna e Çairit me një donacion të familjes Prishtina përmes Mehmet Prishtinës. Përmendorja prej 5 metrave do të jetë pranë qendrës tregtare "Mavrovasja" apo përballë Bibliotekës Nacionale të Maqedonisë në Shkup. “Është projekt mbarëkombëtar, vitin e kaluar është vendosur në Prishtinë, po vendoset në Shkup më 14 tetor duhet të pason në Tiranë në nëntor, projekt që udhëhiqet nga Lulzim Basha. Ne po bëjmë përgatitjet e fundit për vendosjen e përmendores së Hasan Prishtinës në Shkup, në një udhë", ka deklaruar kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Por vendosja e kësaj përmendoreje ka nxitur reagimet e partive maqedonase, gjegjësisht partisë së koalicionit VMRO-DPMNE në nivel të komunës Çair. Këshilltarët e kësaj partie kanë theksuar se vendosja e përmendores së Hasan Prishtinës është ndërtim i egër dhe se për këtë ata do të lajmërojnë organet e inspektorateve të ndërtimit.
Por kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti ka theksuar se përmendorja vendoset në përputhje me rregullat ligjore dhe se sipas tij, kjo përmendore nuk paraqet provokim për palën maqedonas. "Përse vendosja e kësaj përmendoreje të jetë provokim kur dihet se në Muzeun e VMRO-DPMNE është e pranishme figura e Hasan Prishtinës.
Emrin e tij e mbanë një rrugë e Shkupit dhe ajo ka kaluar edhe në Qytetin e Shkupit dhe në Qeveri. Hasan Prishtina ka qenë një personalitet i shquar, politikan dhe diplomat që ka kontribuar për shqiptarët, por edhe për maqedonasit", tha Mexhiti. /Telegrafi/