Haxhiu: Kryetarja e KQZ-së argate e Edita Tahirit

12:02 / 18.07.2013

Anëtarja e Komisionit parlamentar për Legjislacion, Albulena Haxhiu, ka akuzuar ashpër kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, duke e cilësuar si argate të zëvendëskryeministres Edita Tahiri. Haxhiu ka thënë se Daka ka pranuar që të bëhet pjesë e ekipeve që po marrin pjesë në bisedimet në Bruksel, duke ndjekur kështu agjendën politike të Qeverisë.

“Duke ndjekur udhëzimet e Tahirit, Daka ka shpërndarë një dokument që e ka promovuar si konfidencial. Dokumenti ka të bëjë me mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës. Në bazë të këtyre veprimeve, janë detyruar që të largohen dy anëtarë të KKZ-ve, ndërsa më pas janë emëruar katër të tjerë”, ka thënë Haxhiu, gjatë seancës së sotshme të Kuvendit të Kosovës.

Deputetja nga radhët e Vetëvendosjes ka thënë se këto veprime po bëhen me ndihmën e OSBE-së, duke anashkaluar zbatimin e ligjeve dhe rregulloreve të Kosovës, në lidhje me organizimin e zgjedhjeve lokale.

Haxhiu ka deklaruar se Daka e ka thënë një të pavërtetë kur ka folur për mundësinë që qytetarët e Kosovës do të mund të marrin pjesë në votime duke shfrytëzuar dokumentet e shteteve të tjera.

“Po shihet qartë se KQZ ka rënë nën kontrollin e Qeverisë. Me një strukturë të tillë nuk mund të priten zgjedhje demokratike”, ka thënë Haxhiu. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.