Hetime për zjarrin në Pallatin e Drejtësisë
Policia e Kosovës, bënë të ditur se janë duke u hetuar shkaqet e djegies së Pallatit të Drejtësisë, i cili është në ndërtim e sipër në Lagjen Hajvalia, në Prishtinës. Zyrtarë policorë kanë thënë se tashmë janë duke u kompletuar raportet hetimore, të cilat do të vërtetojnë se cilat kanë qenë shkaqet e shkaktimit të zjarrit në këtë pallat.
Ndërkohë zyrtarë, të Ministrisë së Administratës Publike, nuk kanë dashur të prononcohen, në lidhje me pengesat në procesin e ndërtimit.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka thënë se hetimet në lidhje me rastin janë duke vazhduar dhe aktualisht nuk mund të konstatohet se a ka qenë vënia e zjarrit e qëllimshme apo jo.
“Nuk mund të specifikojmë asgjë sepse ne nuk kemi marrë raport nga zyrtari i Departamenti për Emergjenca në nivel Komunal të Prishtinës, Nuk dihet ende se a ka qenë e qëllimshme vënia e zjarrit apo e rastësishme. Jemi në fazën e evidentimit. Ende nuk ka diçka të re në atë drejtim”, ka thënë Borovci, për Kosovapress. /Telegrafi/