Hetime për krim të organizuar në Pasjan
Prokuroria e Qarkut në Gjilan ka nisur hetimet zyrtare lidhur me deklaratat që ka dhënë Milan Stojanovic, nënkryetar për komunitete në Komunën e Gjilanit, rreth kërcënimeve që i janë bërë familjes së tij, si dhe për shumë afera e akuza ku përmenden emra konkretë që lidhen me korrupsion dhe krim të organizuar.Rasti dhe dosja e Stojanovicit tashmë edhe zyrtarisht është duke u hetuar nga Prokuroria e Qarkut në Gjilan, tha kryeprokurori i qarkut, Jetish Maloku.
Sipas tij, të gjithë ata emra që janë përmendur në dosjen e Stojanoviqit do të hetohen, e në veçanti hetimi do të nisë ndaj ofiqarit të Pasjanit, ish kryeshef i SPB-së në Vrajë, dhe të gjithë atyre që punojnë për strukturat paralele.
Stojanovic një ditë më herët për portalin Rajonipress ka dhënë detaje interesante rreth kërcënimeve që ka marrë nga persona anonimë, si dhe ka implikuar emra të rëndësishëm të jetës politike, madje edhe në Serbi, dhe të atyre që konsiderohen si struktura paralele të sigurisë të njohur si BIA dhe MUP-i serb.
Kryeprokurori Maloku tha se në shënimet e Stojanovicit ka mjaft prova dhe dëshmi që mund të jenë të mjaftueshme për të marrë në pyetje të gjithë ata zyrtarë e politikanë serbë që përmenden në dosje.
Edhe pse hetimi ka filluar tashmë, ekspertët dhe shoqëria civile mendojnë se organet hetuese dhe Policia duhen të jenë më vigjilente dhe më të shpejta në veprime.
Flamur Hyseni, profesor universitar tha se në deklaratën e Stojanovicit, se janë lëshuar 800 mijë certifikata të lindjes dhe se për to janë paguar 1 000 – 1 500 euro, sipas legjislacionit tonë ngre pas vetes edhe përgjegjësinë për të dëshmuar dhe raportuar këtë rast në prokurori. /Telegrafi/