Hoxhaj: Kosova, prioritet i mbështetjes daneze
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në ditën e parë të vizitës në Danimarkë ka takuar Ministrin për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Christian Friis Bach.Hoxhaj fillimisht ka falënderuar Ministrin Bach për mbështetjen e Danimarkës në konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të Republikës së Kosovës.
Nga ana tjetër, Ministri për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Christian Friis Bach, ka siguruar Ministrin Hoxhaj se Republika e Kosovës do të jetë shteti më i madh përfitues në Evropën Juglindore nga mbështetja financiare e Danimarkës.
Mbështetja e Danimarkës kryesisht do të përqendrohet në sektorin e Bujqësisë, Arsimit, Energjisë së Ripërtërishme etj.
Ndërsa, në sektorin e Arsimit, Danimarka edhe më tutje do të mbështesë projektet e Qeverisë së Kosovës në fushën e arsimit profesional.
Ministri danez ka siguruar Ministrin Hoxhaj se Danimarka do ta mbështes Republikën e Kosovës përmes shkëmbimit të përvojave dhe në projekte konkrete në fushën e Energjisë së Ripërtërishme.
Ministri Hoxhaj pasdite do të takohet me Ministrin e Punëve të Jashtme të Danimarkës, Villy Søvndal. /Telegrafi/