Hoxhaj: Kosova rrëfim i suksesshëm
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj në një intervistë për radion gjermane “Deutschlandradio Kultur”, ka theksuar se vendimi për largimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës dëshmon që Kosova është rrëfim i suksesit.“Në pesë vjetët e fundit, kemi ndërtuar një shtet nga themelet, kemi ndërtuar institucionet demokratike, sistemin arsimor, sistemin social dhe shëndetësor dhe kemi krijuar bazën për një zhvillim ekonomik”, ka thënë Hoxhaj.
Ai ka theksuar se tani janë krijuar parakushtet për më shumë sovranitet dhe më shumë përgjegjësi.
“Pas largimit të mbikëqyrjes, nuk do të ketë kurrfarë vakuumi, por këtu do të ketë institucione të cilat do të qeverisin vendin, në mënyrë që të përmirësohet gjendja politike, por edhe ekonomike. Agjenda e vetme pas përmbylljes së mbikëqyrjes janë proceset integruese”, ka pohuar ministri i Jashtëm.
Sipas ministrit vendimi për largimin e mbikëqyrjes, do të ndryshojë natyrën e shtetësisë, Kosova do të ketë më shumë sovranitet dhe në të njëjtën kohë më shumë përgjegjësi. /Telegrafi/