Hoxhaj priti ambasadorin e Danimarkës
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka takuar sot Mads Sandau Jensen, Ambasador i Danimarkës në Tiranë, jorezident për Kosovën, i cili i dorëzoi kopjet e letrave kredenciale në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Duke i uruar sukses në detyrën e re ambasadorit Jensen, Hoxhaj shprehu përkushtimin e Republikës së Kosovës për të forcuar marrëdhëniet bilaterale me Danimarkën, në të gjitha aspektet.
Hoxhaj e njoftoi ambasadorin danez për progresion në Kosovë, me theks të veçantë për agjendën evropiane të Republikës së Kosovës, thuhet në njoftimin e lëshuar nga MPJ.
Në këtë kontekst, Hoxhaj vlerësoi rëndësinë e përkrahjes së Danimarkës për Kosovën në proceset integruese, duke shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e gjithanshme që Danimarka ka dhënë dhe po vazhdon të japë për Republikën e Kosovës.
Në anën tjetër, Ambasadori Mads Sandau Jensen, vlerësoi progresin që po arrihet në Kosovë, duke shprehur përkushtimin e Danimarkës për të vazhduar përkrahjen për Kosovën në proceset eurointegruese. /Telegrafi/