Hoxhaj vazhdon lobimin në New York
Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar një takim me Sam T. Condor, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme i Federatës së San Kittit dhe Nevisit, shtet i cili shtrihet në Karaibe.Hoxhaj e ka informuar homologun Condor për zhvillimet progresive në Kosovë dhe forcimin e vazhdueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Ai po ashtu ka kërkuar njohjen e Kosovës nga ky shtet anëtar i OKB-së, duke prezantuar argumente të shumta për një hap të tillë, në veçanti vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të legjitimitetit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Në anën tjetër, Sam T. Condor, zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme i Federatës së San Kittit dhe Nevisit, ka shpalosur qëndrimin pozitiv të shtetit të tij karshi zhvillimeve në Kosovë.
Ministri Enver Hoxhaj disa herë gjatë këtij viti ka vizituar shtetet e Karaibeve, Amerikës Qendrore dhe Latine, në kuadër të përpjekjeve të fuqishme për përmbylljen e procesit të njohjeve të Republikës së Kosovës. /Telegafi/