ICO-ja e mbështet dialogun politik
Zyra Civile Ndërkombëtare përkrah idenë e dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë. Dren Selimi, zëdhënës i kësaj zyre, ka thënë se Kosova është një shtet sovran dhe mund të ndërtojë marrëdhënie me cilindo shtet, kurse dialogu me Serbinë do të ishte shembull konstruktiv në këtë drejtim.“ICO-ja e përkrah idenë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga BE-ja. Ka pasur shenja inkurajuese nga dialogu teknik por duhet bërë më shumë në zbatimin e marrëveshjeve. Zbutja e tensioneve dhe forcimi i bashkëpunimit ndërshtetëror dhe rajonal, përfshirë këtu edhe përmes takimeve mes presidentëve dhe kryeministrave të të dyja vendeve, do të duhej të jetë përkushtim i përbashkët i shteteve aspiruese për në BE”, ka thënë Selimi, transmeton portali Dukagjini.com.
Edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Ernst Reichel, qysh kohë më parë kishte paralajmëruar ndryshimin e formatit të bisedimeve.
“Mendoj se ka nevojë për diskutime përtej temave teknike, nëse e shihni situatën që tani mbretëron, shihet qartë se ka nevojë për diskutime tjera më të gjëra e jo vetëm tema teknike. Në këto bisedime do të bisedohej për marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Për normalizimin e këtyre marrëdhënieve. Veriu është një çështje e rëndësishme në këtë drejtim”, ka thënë Reichel. /Telegrafi/