Imuniteti, Berisha: PS kundër, statusi për BE bllokohet
Kuvendi nisi në orën 10:30 punimet e seancës së posaçme parlamentare, për të votuar draftin e ndryshimeve kushtetuese për heqjen e imunitetit. Sipas opozitës, e cila ishte e pranishme në sallën e Kuvendit, “6 gushti është një datë e përcaktuar në mënyrë arbitrare nga shumica”.
Opozita ka këmbëngulur që votimi për imunitetin duhet të kryhet në shtator, së bashku me një paketë tjetër ndryshimesh kushtetuese që lidhen me sistemin e Drejtësisë.
Siç njofton BalkanWeb, këtë qëndrim të opozitës mazhoranca e ka cilësuar bllokues për Shqipërinë që në vjeshtë pritet të marrë statusin e vendit kandidatit në BE.
“6 gushti është përcaktuar në bazë të rregullores parlamentare”, ka argumentuar mazhoranca, duke ftuar opozitën të votojë në interes të qytetarëve shqiptarë dhe integrimit të vendit në BE.
Kryeministri Sali Berisha deklaroi në seancën e veçantë parlamentare për heqjen e imunitetit se PS me qëndrimin kundër për të votuar amendamentet kushtetuese paralajmëron bllokimin për të tretën herë të statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. /Telegrafi/