Imuniteti, PD pranon 90% të propozimeve të PS
Derisa më 6 gusht pritet të bëhet votimi për heqjen e imunitetit, dy relatorët e këtij drafti ai demokrat Edi Paloka dhe ai socialist, Pandeli Majko japin versionet e tyre.Nëpërmjet relatorëve të tyre Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë lënë të hapur mundësinë që ndryshimet kushtetuese për heqjen e imunitetit të votohen në seancën e 6 gushtit, njofton Noa.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Pandeli Majko u shpreh se është mbyllur një fazë e rëndësishme për imunitetin, ku theksoi se ka ende shumë vështirësi për ndryshimin e ligjit brenda 1 muaji.
“Sot kemi një dokument të pranuar nga pala tjetër e cila mbyll historinë e kapitullit të çështjes së imuniteteve në Shqipëri, negociatat do vazhdojnë. Jemi të gatshëm edhe për ndryshimet e tjera kushtetuese dhe shpresojmë të merremi vesh si dy palë për ndryshimet e tjera”, u shpreh Majko.
Ndërkaq, përfaqësuesi demokrat, Edi Paloka tha se janë pranuar 90% nga propozimet e Partisë Socialiste për çështjen e imunitetit me qëllim që më 6 gusht të votohet drafti.
Ai kërkoi që Partia Socialiste të ruajë dinjitetin e Pandeli Majkos dhe të votojë më 6 gusht. /Telegrafi/