Inaugurohet Asambleja e rinjve të Kosovës
Historia nuk mund të ndryshohet por synimi është që me punë të ndryshohet e sotmja dhe e ardhmja e vendit tonë dhe e zhvillimit të demokracisë. Kështu është thënë sot gjatë ceremonisë së inaugurimit të Asamblesë së Këshillave Rinore Komunale (KRK) të Kosovës, ceremoni kjo në të cilën, përveç nxënësve dhe pjesëmarrësve tjerë kombëtar dhe ndërkombëtar, kanë marr pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi si dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Ann Jacobson. Ilir Deda, drejtor ekzekutiv i KIPRED-it, ka falënderuar të gjithë të rinjtë që kanë punuar për krijimin e Këshillave rinore komunale duke u bërë thirrje për vazhdim të mëtutjeshëm të punëve. Sipas tij rinia e sotme meriton një Kosovë shumë më të mirë duke shtuar se në këto pesë vite është punuar me 42 000 të rinj nga të gjitha pjesët e Kosovës, e të cilët sot janë të kyçur nëpër institucione, universitetet, OJQ dhe dijet e tyre janë duke u përpjekur që t’i implementojnë aty ku janë.
Ambasadorja amerikane, Tracey Ann Jacobson, ka falënderuar Universitetin e Arizonës dhe KIPRED -in që kanë punuar shumë me të rinjtë duke shtuar se para janë investuar në drejtime të duhur. Ajo ka potencuar rëndësinë e investimeve në ndërtimin e demokracisë duke përmendur se ndërtimi i institucioneve të shëndosha e forcon demokracinë në Kosovë. Jacobson ka pohuar se që kur ka ardhur në Kosovës ka vërejtur ndryshime të theksuara, megjithatë ka potencuar se duhet punë e vazhdueshme në luftimin e korrupsionin dhe krijimin e kushteve për sundimin e ligjit. Pjesë të këtyre detyrave u takojnë edhe të rinjve që, në të ardhmen do të bëhen lider vendit.
“Me punë tuaj të madhe, me energjitë tuaja, me entuziazmin tuaj dhe me kreativitetin tuaj Kosova mund të lëvizë me plotë kuptimin e fjalës dhe unë kur të kthehem pas 10 vitesh dëshirojë t’i shoh disa nga ju që sot jeni të ulur në parlament si përfaqësues të Asamblesë së të rinjve, si deputet të Kuvendit të Kosovës. Ju dëshirojë shumë fat!”, ka thënë ajo.
Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë se as të rinjtë, as politikanët aktual nuk duhet të jenë të kënaqur me këto arritura pasi që të gjithë duhet të synojmë për më shumë përparime në vend.
Ai është lutur që vështirësitë dhe pengesat që kanë pasur gjenerata e tij dhe ato më të vjetrat të mos i kenë gjeneratat e reja duke shtuar se historia nuk mund të ndryshohet por synimi është që me punë të ndryshohet e sotmja dhe e ardhmja e vendit tonë dhe zhvillimit të demokracisë.
Gjatë këtij takim, nxënësit pjesëmarrës të KRK-ve kanë paraqitur punën e Asamblesë së tyre në Kuvendin e Kosovës. Ata kanë debatuar për çështjet e identifikuara në Këshillat Rinor Komunale (KRK) duke prezantuar rezolutat të cilat janë debatuar dhe hartuar në takimet e KRK-ve.
Rezolutat paraqesin rekomandimet e të rinjve për përmirësimin e çështjeve të identifikuara. Pas votimit të këtyre rezolutave në Asamblenë e KRK-ve, rezolutat do t’ua dorëzojnë në një ceremoni solemne Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendeve Komunale përkatëse.
Asambleja e Këshillave Rinore Komunale të Kosovës organizohen me mbështetje të projektit “Votuesit e së Ardhmes”.
Qëllimi i këtij projekti është t’i inkurajoj të rinjtë të jenë më aktiv në komunat e tyre.
Gjatë këtyre pesë viteve prej fillimit të projektit, është punuar me 42 000 nxënës nga e gjithë Kosova, nga të gjitha përfaqësitë etnike, të cilët janë edukuar për rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje të drejta dhe të lira. /Telegrafi/