Inaugurohet tuneli i Kërrabës, Berisha: Rama të kërkojë falje, tentoi bllokimin
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të hapjes përfundimtare dhe bashkimit të dy anëve të tunelit të Kërrabës, një segment i rëndësishëm i autostradës Tiranë-Elbasan. Berisha shoqërohej nga ministri Sokol Olldashi në momentin kur është shembur dhe shkëmbi i fundit që lidhte pjesën e tunelit të Elbasanit me atë të Tiranës. Pas hapjes së tunelit, Berisha shtrëngoi duart me kryetarin e Bashkisë së Elbasanit që e priste nga ana tjetër e tunelit, njofton Bw.
Autostrada Tiranë-Elbasan, arteria kryesore e Korridorit 8, Me gjatësi 31 kilometra përfshirë edhe tunelin, gjerësi 28,2 metra, ka 6 korsi, 1,7 kilometra ura dhe viadukte, si dhe shumë mbikalime dhe nënkalime. Gjithashtu rruga shkurton me 1 orë distancën mes Tiranës dhe Shkupit.
Berisha këtë inaugurim e vlerësoi, si projekt që bashkon Shqipërinë. Kryeministri akuzoi PS se me votën kundër buxhetit në parlament tentoi të bllokonte projektin gjigand për autostradën Tiranë-Elbasan.
“Tuneli është realizuar me buxhetin e shtetit. Ata mbajtën tërë natën në parlament ligjvënësit për të bllokuar fondet e tunelit. Unë i bëj thirrje sot kreut të PS, mos i pengo deputetët të vizitojnë tunelin dhe autostradën, ashtu siç i pengon tek Rruga e Kombit. Deputetë të PS kërkoni të falur publikisht qytetarëve të këtyre zonave, Elbasanit, Korçës, Tiranës, Kolonjës, Librazhdit, Beratit, sepse vota juaj kundër fondeve të tunelit nxin dhe do të nxijë si zifti i vërtetë në analet e arkivave. Ndaj kërkoni ndjesë”, tha Berisha. /Telegrafi/