Irani dhe Al Qaeda nuk mund të kenë bombë atomike!
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, gjatë fjalimit të mbajtur të enjten në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, tha se ai beson në aftësinë e Iranit për të bërë bombën atomike, por sipas tij, Izraeli nuk do ta lejojë përfundimin e saj.“Irani do të përiqet ta përfundojë këtë bombë më së largu deri në verën e ardhshme, por duhet vënë vijat e kuqe. Bashkësia ndërkombëtare duhet të reagojë, përndryshe Izraeli nuk do të lejojë që kjo të ndodhë”, ka thënë Netanyahu. Ai tha se iranianët duhet të ndalin pasurimin e tyre bërthamor.
“Një vend që kërcënohet me zhdukjen e një vendi tjetër nga faqja e dheut, nuk duhet lejuar të posedojë armë bërthamore”, tha kryeministri izraelit, duke falënderuar presidentin amerikan, Barack Obama, i cili dy ditë më parë tha se nuk do të tolerojë një Iran të armatosur me armë bërthamore.
Netanyahu gjatë fjalimit nxori një karton ku ishte vizatuar një bombë me një fitil të zgjatur, për të ilustruar arritjet e Iranit. Ai tërhoqi një vijë të kuqe deri ku do të tolerohet pasurimi bërthamor i Iranit.
“Lejimi i Iranit të bëhet me bombë atomike është njëjtë sikur Al Qaeda të bëhet me bombë atomike. Tani pyetja nuk duhet bërë se kur Irani do të bëhet me bombë atomike, por në cilën fazë duhet ndaluar prodhimin e kësaj bombe”, tha ndër të tjera kryeministri izraelit, i cili ditë më parë nuk e ka përjashtuar edhe luftën ndërmjet dy vendeve. /Telegrafi/