Irlanda mbështet Maqedoninë për BE
Irlanda është mike e Maqedonisë dhe fuqimisht i mbështet rekomandimet e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, theksoi Lucinda Creighton, ministre për çështje evropiane e Irlandës, pas takimit të sotëm në Shkup me zëvendëskryeministren për çështje evropiane, Teuta Arifi.Creighton e përshëndeti dialogun inkuadrues të nivelit të lartë si formë konstruktive të angazhimit ndërmjet Komisionit Evropian dhe Maqedonisë dhe theksoi se pret që ai të vazhdojë në mënyrë konstruktive siç ka qenë rasti edhe deri tani. Lidhur me kontestin për emrin ajo shtoi se Irlanda konsideron se nuk duhet të përzihet në punët bilaterale ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë, por pret që kontesti të zgjidhet sa është e mundur më shpejt.
"E inkurajojmë Qeverinë të vazhdojë me procesin e shkëlqyer të reformave veçanërisht në lirinë e mediave, legjislacionin zgjedhor dhe financimin e partive politike. E theksojmë rëndësinë, pajtimin, lirinë e mediave dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore që gjithashtu është prioritet i Qeverisë suaj, ndërsa këtu gjithsesi është edhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit", tha Creighton.
Ndërkohë, zëvendëskryeministrja Arifi theksoi se takimin e ka shfrytëzuar që të informojë për arritjet në suaza të dialogut inkuadrues të nivelit të lartë dhe realizimin e obligimeve nga Udhërrëfyesi me BE-në me ç'rast theksoi se të dyja janë dakorduar se procesi jep kontribut të madh për afrimin e Maqedonisë drejt Unionit.
Nënvizoi se pret që mbështetja për këtë proces të vazhdojë nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, përfshirë edhe Irlandën si miken tonë. "Shumë është me rëndësi që ky proces të hapet dhe më tej edhe të ketë përfundim të mirë deri në fund të vitit", tha Arifi.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, Arifi tha se kontesti për emrin nuk ka qenë pjesë e bisedimeve në suaza të dialogut inkuadrues të nivelit të lartë i cili, ka qenë kryesisht i fokusuar në çështjet që kanë të bëjnë me kriteret ekonomike dhe politike për anëtarësim në BE. /Telegrafi/