Ish- pjesëtarët e TMK-së, megjithatë po paguajnë
Ka rreth katër vite që, me vendim të ish-ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme , ish pjesëtarët e TMK-së dhe pjesëtarët e ngushtë të familjeve të tyre, janë të liruar nga pagesa, në situatat kur aplikojnë për t’u pajisur me dokumente personale, por këtë të drejtë ata ende nuk po e gëzojnë. Ky vendim jo që nuk po respektohet, por ka zyrtarë qeveritarë që fare nuk janë në dijeni për të. Vendimi që është marrë nga ministri i dikurshëm i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, duket të ketë përfunduar nëpër sirtarët e kësaj ministrie përderisa ai nuk po zbatohet.
Ndërsa vendimi, i cili liron nga taksat për t’u pajisur me dokumente personale 1 463 ish pjesëtarë të TMK-së dhe familjarët e tyre, ai nuk është duke u zbatuar , ish ministri Pajaziti thotë se nuk është interesuar çfarë ka ndodhur më të, pas largimit të tij nga posti i ministrit.
“Kam qenë krenar kur e kam marrë një vendim si ai, ngase do përfitonin një komunitet shumë i vlefshëm i shoqërisë sonë dhe jo vetëm ata por edhe familja e tyre, por nuk jam interesuar çfarë ka ndodhur tutje me atë vendim. Nuk kam dashtë të përzihem pas largimit tim nga aty, skam dashtë të dukem se ende po i përzihem në punët e Ministrisë”, ka thënë ai.
Në vendim, të cilin e posedon Kosovapress, thuhet se Ministria e Forcës së Sigurisë e Kosovës (MFSK) do të përpilojë listën e ish pjesëtarëve të TMK-së të cilët do të jenë përfitues dhe se për zbatimin e tij do të kujdesen këto dy ministri bashkë. Pra, ajo e Forcës së Sigurisë bashkë me atë të Punëve të Brendshme.
Por, në atë të FSK-së ky vendim asnjëherë nuk ka arritur, madje as që janë në dijeni se është marrë një vendim i këtij lloji.
Remzie Zeqiraj, oficer për Marrëdhënie me Publikun në MFSK-thotë se asnjë dokument me përmbajtje të tillë nuk u ka shkuar ndonjëherë.
“Unë kam konsultuar personat përgjegjës që janë në rrjedha prej themelimit të MFSK-së dhe shprehen me sigurinë më të madhe se nuk kanë pranuar një dokument të tillë”, ka thënë ajo.
Ajo thotë se Zyra për Çështjet e Trashëgimisë së TMK-së që vepron në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, mund të jetë në dijeni për këtë vendim. Por drejtori i kësaj zyre, Safet Syla, për këtë vendim, merr vesh nga Kosovapressi.
“Ky vendim është shumë i mirë. Kurrë s’e kemi pa deri tash. Do të këmbëngul që t’i ndërrohet emri nga ministria e FSK-së t’i drejtohet zyrës sonë dhe ta zbatojmë edhe tani. Pasaportat biometrike mund t’i marrin tani, madje edhe shumë prej tyre kanë edhe patentë shofer ende të UNMIK-ut”, ka thënë ai.
Sipas Sylës, ky vendim meqë përfshin edhe familjen e tyre, do t’ua lehtësonte shumë procesin e nxjerrjes së dokumenteve.
Sipas tij, nuk kushton pak nxjerrja e dokumenteve, aq më shumë edhe për të gjithë familjen, kur, sipas tij, vetëm 121 ish pjesëtarë të TMK-së punojnë aktualisht.
Vendim që është marrë nga ministri i Punëve të Brendshme, me ndërrimin e ministrit dhe kabinetit të tij është harruar diku.
Sekretari i kësaj ministrie, Ilhami Gashi ka tre muaj që nuk di të flas se çfarë ka ndodhur me këtë vendim.
Nga vendimi i nënshkruar nga ish ministri Pajaziti do të përfitonin 1 463 ish pjesëtarë të TMK-së, bashkë me familjen e tyre të ngushtë (bashkëshorti/ja dhe fëmijët), e të cilët kanë qenë aktiv deri në momentin e transformimit të saj në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Të gjitha ata do lirohesh nga pagesa e tarifave me rastin e pajisjes me pasaportë, letërnjoftim dhe patentë shofer. /Telegrafi/