Ish të burgosurit do ta padisin Qeverinë e Maqedonisë
Shoqata e të Burgosurve dhe të Persekutuarve Politik Shqiptar në Maqedoni (SHBPPSH) do të ngre padi kundër Qeverisë së Maqedonisë, për shkak të statusit të tyre të pazgjidhur.Shpëtim Pollozhani, kryetar i SHBPPSH-së, theksoi se viktimat e sistemit të kaluar ende mbeten viktima pa kurrfarë zhdëmtimi.
Problemi, sipas tij, konsiston në rend të parë në mbetjen në fuqi të vendimeve të shqiptuara gjyqësore, duke zbatuar direktivat e pushtetit të kaluar.
“Përderisa të burgosurit dhe të përndjekurit politik maqedonas kanë shfrytëzuar dhe gëzojnë të gjitha të drejtat dhe beneficionet, shqiptarët edhe më tej mbeten të margjinalizuar dhe në vazhdimësi të persekutuar në këtë drejtim”, thekson Pollozhani për INA, duke paralajmëruar se do ta padisin Qeverinë e Maqedonisë, si trashëgimtare e ish RSF të Jugosllavisë.
Sipas tij, statusin e këtillë e gëzojnë të gjithë personat që në mënyra të ndryshme janë dëmtuar nga ish pushteti, nga gushti i vitit 1944 e deri më 1991. /Telegrafi/