“Haxhi Zeka” synon t’i ketë 10 mijë studentë

20:10 / 3.02.2013

Universiteti “Haxhi Zeka”, si universitet i ri, po ballafaqohet me sfida normale që ndërlidhen me zbatimin e strategjive për implementimin e standardeve akademike të procesit të Bolonjës, ka deklaruar për Telegrafin Armand Krasniqi, Rektor i Universitetit “Haxhi Zeka”.

Sipas Krasniqit, objektet e universitetit, edhe pse një pjesë e tyre të vjetra, aktualisht i plotësojnë standardet. Hapësirat e brendshme dhe ato të jashtme për një student janë mbi normat që kërkohen me standardet akademike, ndërsa janë të pajisura me mjetet e nevojshme tekniko-teknologjike.

“Niveli i pastërtisë është i mirë, zgjerimi funksional, kemi bibliotekën me librat më të rinj dhe më të avancuar, ndërsa funksion sistemi i informimit elektronik, kyçja e lirshme e studentëve në rrjetin e internetit, ngrohje cilësore, ambiente të gjelbra, katër amfiteatro, sallë informatike dhe 20 salla mësimi me inventar modern”, thotë Krasniqi.

“Universiteti ka 6000-6500 studentë aktivë. Dallimi në 500 studentë do të thotë se numri i studentëve aktivë lëvizë nga semestri në semestër. Planifikojmë që për tri vitet e ardhshme Universiteti t’i këtë rreth 10.000 studentë”.

Krasniqi ka sqaruar se buxheti i ndarë nga MASHT-i është rreth 1,950.000 euro për vitin 2013. Kjo shumë, sipas tij, garanton stabilitet për funksionim.

“Kjo shumë është lejuar të shpenzohet vetëm për paga, mëditje, mallra dhe shërbime. Nuk janë paraparë mjete për subvencione, që nënkupton se nuk janë paraparë mjete për bursa për studentë të suksesshëm dhe lirim nga pagesa. Nuk është kjo neglizhencë e jona, por çështje e Ligjit të Buxhetit”.

Rektori Krasniqi sqaron edhe çështjen e personelit të angazhuar. Ai ka thënë se sipas akteve juridike dhe sipas Ligjit mbi Arsimin e Lartë në vend, personelit të rregullt mësimor në thirrje asistentë - që janë në studime të doktoratës - ju lejohet që të jenë të angazhuar në mësimdhënie vetëm në nivelin e studimeve themelore.

“Ndërkaq, në nivelin e studimeve master janë të angazhuar vetëm personeli i cili ka gradën e doktorit të shkencave”, thotë ai. “Administrata funksion në mënyrë të rregullt edhe pse nuk përjashtojmë mundësinë të ketë raste të ndonjë ankese individuale. Por, nuk ka fenomen të injorancës së studentit. Është e vërtetë se janë evidente disa vështirësi për ofrimin e shërbimeve për ish studentët e ish Shkollës së Lartë Ekonomike dhe ish Shkollës së Biznesit, për shkak të mungesës totale të dosjeve, për faktin se dokumentacioni ynë është djegur dy herë”. /Telegrafi/


 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.