“Hi, flm, sps...” - gjuha “moderne” e të rinjve

18:13 / 27.01.2013

Gjuha dhe format e të folurit, me të cilat të rinjtë e Kosovës komunikojnë në rrjetet sociale, janë krejtësisht jashtë të të folurit apo të shkruarit të shqipes standarde. Kjo i dëmton të rinjtë në zbatimin e kësaj të fundit, vlerësojnë disa të rinj kosovarë.

Në rubrikën e përjavshme VOX të Radio Evropës së Lirë, ata thonë se format e të folurit, të cilat përdoren në rrjetet sociale, janë bërë si një zhargon edhe në komunikimin e përditshëm jashtë këtyre rrjeteve.

Blerton Ademi, nxënës i shkollës së mesme, thotë se gjuha me të cilën komunikojnë të rinjtë në rrjete sociale, përfshin mjaft shprehje nga gjuhët e huaja. Të njëjtat shprehje, sipas tij, janë bërë rutinë edhe në komunikimin e përditshëm, jashtë kufijve virtualë.

“Për shembull ‘hi’ ose ‘hello’... këto të gjitha kanë ardhur nga anglishtja. ‘Like’, ‘comment’, e të gjitha këto kanë ardhur nga rrjetet sociale që i përdorim, ‘Facebook’, “Twitter’, etj”.

Por, Sead Vuniqi shpreh mendimin se gjuha, e cila përdoret nga të rinjtë gjatë komunikimit në rrjetet sociale, është gjuhë e mbushur me shprehje “të rrugës”. Kjo, sipas tij, është një lloj shkëmbimi, sepse, siç thotë, gjuha e rrugës futet fillimisht në rrjetet sociale dhe nga këto të fundit kthehet përsëri në rrugë tek ata të rinj të cilët më parë nuk e kishin përdorur.

Sipas të rinjve, gjuha e komunikimit në rrjetet sociale është e mbushur me barbarizma, shkurtesa ose akronime, të cilat, për ata që nuk janë pjesë e këtyre rrjeteve, janë të pakuptueshme. Për shembull, sipas tyre, në shumë raste ata nuk e thërrasin dikë në emër, por përdorin shprehjet “o tip” ose “o njeri”.

Pastaj, bëjnë komplimente në formën “po dokesh nice njeri” në vend të shprehjes “dukesh bukur zotëri’. Edhe shprehjet emocionale ata i shpërfaqin në formën “jam happy” në vend të shprehjes “jam i lumtur” dhe të ngjashme.

Kristina Gjokaj thotë se jo rrallë kjo formë e komunikimit, e cila është bartur edhe në përditshmërinë reale, u është hakmarrë të rinjve, sidomos në institucionet arsimore.

“Ato shprehje që po i përdorin në rrjetet sociale, ato po i përdorin edhe në jetën e përditshme. Unë mendoj se kjo ndikon shumë keq... Për shembull, i bën një nder dikujt dhe ai nuk të thotë ‘faleminderit’, por vetëm ‘flm’. Janë këto shkurtesa, saqë harrojmë edhe kur hyjmë në teste (në fakultet) dhe i përdorim ato... ndonjëherë ndodh edhe të biem nga provimet”.

Megjithatë, Faton Osmani nuk e sheh si diçka tragjike përdorimin e zhargonit në rrjetet sociale, por, sipas tij, nën këtë ndikim nuk duhet rënë fëmijët.

“Është mbase tragjike për të vegjlit, fëmijët tanë, sepse po mësojnë gjëra të këqija”.

Visar Krasniqi thotë se gjuha që përdoret në rrjete sociale nga të rinjtë, është po ajo gjuhë me të cilën ata komunikojnë edhe në jetën e përditshme, jashtë rrjeteve. Kjo, sipas tij, në njëfarë mënyre, është edhe një pasqyrë e kulturës gjuhësore te të rinjtë.

Ndërsa, Donjeta Tullari thotë se në komunikimin ndërmjet të rinjve në rrjetet sociale janë tepër të pranishme shprehjet nga gjuhët e huaja, kryesisht nga ajo angleze, por edhe shkurtesat për shprehje të ndryshme.

Vigan Ademi nuk mendon se gjuha e komunikimit në rrjetet sociale tolerohet edhe në shkolla.

“Gjuha e njëjtë ndërmjet shokëve mund të flitet edhe në internet, por jo edhe nëpër shkolla. Kur kemi ndonjë fjalim më formal, është më ndryshe. Por, neve na është bërë shprehi që të flasim ashtu sikur në rrjetet sociale. Ne i ndryshojmë shumë fjalë dhe nuk i themi ashtu siç do të duhej. Përdorim edhe fjalë nga anglishtja e kështu me radhë”.

Ndërkaq, për gjithë këtë situatë, Rina Beqiraj, shpreh mendimin e saj: “Në shumë raste janë shkurtesat e fjalëve. Do të thotë ka edhe fjalë që kthehen në formën e mbrapshtë, si për shembull: ‘op’ në vend të pohimit ‘po’... Pastaj ‘flm’, ‘sps’... janë shkurtesa që përdoren. Zakonisht përdoret një gjuhë që në jetën e përditshme më të moshuarit nuk e përdorin. Pra, është një gjuhë ‘trendy’, nëse mund të them kështu ose gjuhë në modë, siç e vlerësojnë të rinjtë sot. Mendoj se nuk është korrekte që ta flasim atë gjuhë, sepse ne kemi gjuhën standarde tonën. Ndoshta edhe mund të flasim gegërisht ose toskërisht në disa vende, por jo gjuhën ‘trnedy’ siç e përdorin të rinjtë sot”. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.