Jahjaga, e gatshme për takim me Nikolicin
Kryetarja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se është e gatshme për bisedime me Presidentin e Serbisë, Tomislav Nikolic. Ajo tha se dialogu i ardhshëm duhet të fokusohet edhe dëmshpërblime të luftës, ndërsa për veriun e Kosovës tha se vullneti i qytetarëve nuk do të thotë që çdo komunë dhe çdo fshat ka të drejtë për vetëvendosje e shkëputje.“Mund të flasim vetëm si liderë legjitim dhe legalë të shteteve tona, duke shprehur vullnetin e qytetarëve tanë. Dhe, përmes këtij dialogu të gjenden zgjidhje të qëndrueshme që nënkuptojnë paqe dhe stabilitet në rajon e më gjerë", tha Jahjaga në një intervistë për ditoren “Danas” të Novi Sadit,
Ajo shtoi se Kosova dëshiron që udhëheqësit e rinj të Serbisë të pranojnë realitetin dhe ta njohin sa më shpejtë Republikën e Kosovës dhe që si dy vende fqinjë të vendosin marrëdhënie diplomatike e të bashkëpunojnë në rrugën e integrimit euroatlantik
Jahjaga tha se marrëveshjet që janë produkt i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit po zbatohen ngadalë, sepse pala serbe nuk është e gatshme për të realizuar atë që kishte rënë dakord.
Sipas saj, nga Beogradi pritet të ngritët niveli i dialogut për çështjet e dëmshpërblimeve të luftës, personave të zhdukur, gjykimet për krime lufte.
"Liderët e Serbisë deri më tash nuk janë deklaruar publikisht për këto çështje", tha Jahjaga.
Ajo hodhi poshtë kërkesat e serbëve nga veriu i Kosovës që të mbesin pjesë e Serbisë, duke theksuar se vullneti i qytetarëve nuk do të thotë që çdo komunë dhe çdo fshat ka të drejtë për vetëvendosje e shkëputje.
"Mund të supozoni se çka do të mbetej nga shteti i Serbisë nëse parimi i vetëvendosjes ulet në atë nivel”.
Presidentja shprehi besimin se Kosova së shpejti do të përmbushë të gjitha kërkesat e udhërrëfyesit, të cilat janë thelbësore për qytetarët e Kosovës që të mund të udhëtojnë në BE pa viza. /Telegrafi/