Jahjaga: Udhërrëfyesi hap i rëndësishëm
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka përshëndetur vendimin e Bashkimit Evropian që institucioneve të Kosovës t’ua dorëzojë udhërrëfyesin për liberalizim të vizave, dokument ky që mundëson plotësimin e kushteve për udhëtim të lirshëm në BE të qytetarëve të saj.Jahjaga e ka vlerësuar këtë hap të rëndësishëm të Komisionit Evropian dhe të vendeve anëtare që e kanë mbështetur këtë proces.
Ajo ka shprehur gatishmërinë dhe përkushtimin e institucioneve të Kosovës që të vazhdojnë në përmbushjen e kritereve dhe obligimeve të përcaktuara në këtë udhërrëfyes, duke konsoliduar arritjet në të gjitha fushat në kuadër të agjendës evropiane të Republikës së Kosovës.
Presidentja Jahjaga, që udhëheq Këshillin Kombëtar për Integrim Evropian, vlerëson se vendimi i BE-së përçon një mesazh të qartë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se edhe ata, si të gjithë qytetarët e tjerë të rajonit të Ballkanit, gëzojnë perspektivën evropiane.
Sipas saj, procesi i liberalizimit të vizave do të ndihmojë institucionet e Kosovës të thellojnë reformat në forcimin e institucioneve demokratike, në sundimin e ligjit si dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. /Telegrafi/