Jahjaga vizitoi komunat e Rajonit të Prizrenit
Në vigjilje të vizitës së sekretares amerikane të shtetit, Hillary Clinton dhe të Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe zëvendëskryeministri dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, kanë realizuar një turne vizitash nëpër komunat e rajonit të Prizrenit (Prizren, Rahovec dhe Mamushë), ku kanë takuar autoritetet komunale si dhe mekanizmat tjerë që promovojnë respektimin e të drejtave të komuniteteve sikurse edhe atyre gjinore. Kërkesat ndërkombëtare për shënimin e përparimit edhe në këto segmente të shoqërisë kanë bërë që presidentja Jahjaga në takime të ndryshme të martën të ofroj mbështetjen e saj për këto kategori dhe të promovoj zotimin institucional për karakterin shumetnik të vendit.
Jahjaga ka vlerësuar se tradita prizrenase e tolerancës dhe bashkëjetesës është reflektim i vlerave demokratike të Kosovës.
"Prizreni është një simbol i jetesës së përbashkët, i tolerancës, mirëkuptimit, si dhe një gërshetim i kulturave dhe traditave që në mënyrë të vazhdueshme janë promovuar nga ky qytet. Tradita prizrenase në njëfarë mënyre reflekton të gjitha vlerat që i ka Kosova. Këto në fakt janë vlera demokratike si në këtë qytet e po ashtu edhe në qytetet tjera të territorit të Republikës së Kosovës. Unë i ofrova përkrahjen time si Presidente e vendit dhe këtë do të bëj edhe në të ardhmen, gjithnjë në formë institucionale, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit, për ti ofruar shërbime më kualitative të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës", ka thënë Jahjaga, duke mos pranuar të përgjigjet në pyetjet e gazetarëve, transmeton Koha.net.
Gjatë ditës Jahjaga ka vizituar edhe komunën e Mamushës, ku po ashtu është takuar me zyrtarët e lartë komunal. Kryetari i komunës së Mamushës, Arif Butuc ka theksuar se të parën e shtetit e ka informuar në lidhje me angazhimet e pushtetit lokal, ndërkohë që sipas tij Jahjaga e ka cilësuar Mamushën si komunë model për integrimin e komunitetit turk në shoqërinë e Kosovës.
Presidentja ka vizituar edhe Rahovecin dhe Hoqën e Madhe, në mënyrë që të njihet për së afërmi me aktivitetet, projektet si dhe me problemet dhe vështirësitë, me të cilat ballafaqohet kjo komunë.
Jahjaga, pas vizitës bërë Verarisë në Hoqë të Madhe, premtoi përkrahje të fuqishme për Komunën e Rahovecit. /Telegrafi/