“Ikja nuk parandalohet me kërcënime dhe apele”

18:00 / 18.07.2013

Ikja e të rinjve nga vendi nuk mund të parandalohet me kërcënime policore ndaj trafikantëve e as me apele drejtuar të rinjve të zhgënjyer, vlerësojnë përfaqësues të partive opozitare. Ata theksojnë se për ta parandaluar ikjen, qeveritarët duhet të fokusohen tek projektet për zhvillim politik.

Rritja ekonomike prej rreth dy për qind në vit nuk mund të stimulojë hapjen e vendeve të reja punës për 330 mijë persona të papunë në Kosovë, ka vlerësuar Avdullah Hoti, drejtues i Grupit të ekspertëve për çështje ekonomike të LDK-së.

Sipas tij, kjo rritje ekonomike nuk siguron vende pune as përreth 25 mijë të rinj që hyjnë në tregun e punës çdo vit.

“Një i ri që mbaron arsimin, ka vetëm 10 për qind gjasa të gjejë punë. Edhe nëse është me fat dhe gjen punë, me të ardhurat që mund të sigurojë prej rreth 300 euro në muaj, e ka të pamundur të nisë jetën e re dhe të ndërtojë familje. Domosdo që kjo i shtynë qytetarët të marrin rrugën e emigracionit”, ka theksuar Hoti për Telegrafin.

Ai ka vlerësuar si fat të mirë faktin që kosovarët jetojnë në familje të mëdha dhe kujdesen për njëri-tjetrin në kuadër të familjes, përndryshe emigracioni do të ishte shumë më i lartë.

Hoti i ka quajtur absurde reagimet e drejtuesve të Ministrisë të Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Integrimeve Evropiane, pas raportimeve për se mijëra të rinj kosovarë gjenden në burgjet e Hungarisë, pasi janë kapur gjatë tentimit për të emigruar në Evropën Perëndimore.

“Është e gabuar qasja e tyre për të kufizuar emigracionin nëpërmjet shtrëngimit të kontrolleve kufitare dhe lutjeve drejtuar të rinjve që mos të braktisin vendin. Një i ri mund bindet të qëndrojë nëse rriten gjasat që ai të gjejë punë”, ka thënë Hoti.

Të rinjtë kosovarë që janë kapur në Hungari kanë emigruar përmes Serbisë dhe ata nuk kanë pasur asnjë kufizim për të udhëtuar fillimisht Serbi. Sipas Hotit, kontrolli kufitar për të kufizuar emigracionin është krejtësisht i paefektshëm.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka vlerësuar se njëra prej dështimeve më të mëdha të Qeverisë aktuale dhe të atyre të mëhershme është fakti që nuk është menduar për zhvillim ekonomik dhe për përmirësimin e gjendje sociale.

“Kjo ikje e madhe nga Kosova tregon shumëçka. Është për të ardhur keq që qytetarët sot mendojnë se ‘më mirë’ ishte në vitet e mëparshme gjatë komunizmit, kur pati një sistem diskriminues. Megjithëse, edhe atëherë në vitet ’70 pati një zhvillim”, ka thënë Aliu në Kuvendin e Kosovës.

Përfaqësuesit opozitarë i bëjnë thirrje Qeverisë që të kujdesen që të krijojnë vende pune, mirëqenie dhe prosperitet, për ta parandaluar ikjen e të rinjve. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.